Dukesha e Sussex është në fundin e pritjes së ëmbël, e për familjen mbretërore britanike, ardhja në jetë e fëmijës së saj dhe princit Harry konsiderohet një moment historik.

Disa e shohin lindjen e kësaj fëmije si një ngjarje të një domethënieje shumë më të madhe sesa thjesht lindja e një anëtari të ri të familjes mbretërore. Foshnja, që do të jetë i shtati në linjën e fronit, është i pari i një race të përzierë që zë një pozicion të tillë.

“Mendoj se ky fëmijë do të ketë një rëndësi të veçantë historike, për shkak se ai krijon një precendent të rrallë: qoftë djalë apo vajzë, do të jetë bebja e parë afro-amerikane që lind në familjen mbretërore britanike”, tha Claudia Joseph, biografe.

Me nënë me ngjyrë dhe baba të bardhë, etniciteti i Meghan Markle ka qenë prej kohësh temë diskutimi.

Që në fundin e vitit 2016, kur u mësua për herë të parë publikisht se po dilte me aktoren amerikane, Harry u kujdes të lëshonte një deklaratë për mediet, ku dënonte tonet racore të disa artikujve. Në një prej tyre thuhej se, “Meghani do ta bënte më të pasur dhe më ekzotike ADN-në e ‘Windsor’-ëve”.

Megjithatë, janë të shumtë ata që e konsiderojnë pozitiv këtë zhvillim.

“Çdo herë që ne, si njerëz me ngjyrë thyejmë një barrierë, e sidomos atëherë kur kjo nuk është aspak e pritshme, e shohim si arsye për të kremtuar”, thotë Michelle Ebanks, drejtuese e revistës “Essence” në Shtetet e Bashkuara.

Të tjerë e shohin si pjesë të progresit, së bashku me zgjedhjen e Barack Obamës president, apo realizimin e filmit “Pantera e zezë”, i cili u pa si kremtim i kulturës me ngjyrë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA