Tronditëse/ Performoi përpara mijëra fansave vetëm pesë ditë më parë, ndërron jetë papritur ylli i ri i muzikës në moshën 8-vjeçare

03/10/2026 18:19

Hirata Runa, vetëm 8 vjeçe dhe pjesë e grupit japonez Dianna Project, ka ndërruar jetë papritur në fund të shtatorit, vetëm pesë ditë pasi kishte performuar në një koncert para mijëra fansave.

Sipas njoftimit të familjes dhe agjencisë së saj, vogëlushja ndërroi jetë për shkak të miokarditit fulminant, një inflamacion i rëndë i muskulit të zemrës, i cili sipas deklaratës së grupit ishte shkaktuar nga një virus.

“Me keqardhje ju njoftojmë se Hirata Runa ka ndërruar jetë për shkak të miokarditit që është shkaktuar nga një virus”, thuhej në deklaratën e publikuar nga Dianna Project.

Agjencia shprehu mirënjohjen për fansat që e kishin mbështetur vajzën gjatë kohës së saj si artiste, ndërsa kërkoi respekt për familjen në këtë periudhë të vështirë.

“Shprehim mirënjohjen tonë më të thellë për të gjithë fansat që mbështetën Hirata Runën dhe për të gjithë ata që ofruan ndihmë”, thuhej në deklaratë, ndërsa fansave iu kërkua të shmangnin pyetjet apo kërkesat për intervista lidhur me vdekjen e saj.

Hirata Runa kishte lindur në Nagoya, Japoni, dhe ishte bërë pjesë e Dianna Project që në moshë shumë të vogël. Grupi i përket skenës japoneze të “idolëve”, ku artistët ndërtojnë një marrëdhënie të veçantë me fansat përmes muzikës dhe performancave.

Performanca e fundit e Runës ishte zhvilluar vetëm pesë ditë para vdekjes së saj. Pas koncertit, ajo kishte publikuar një mesazh për fansat, duke shkruar: “Faleminderit edhe për sot, e vlerësova shumë. Ishte vërtet argëtuese.”

Pak ditë më vonë, ajo humbi jetën pas komplikimeve të shkaktuara nga miokarditi.

Familja e saj e kujtoi me një mesazh prekës, duke kërkuar që Runa të mbetet në kujtesën e fansave si një artiste e përjetshme.

“Runa kaloi një të tretën e jetës së saj si idhull. Ju lutemi lëreni në një cep të zemrave tuaja si një idhull të përjetshëm”, shkroi familja.

Top Channel