“Dëmshpërblimi” me dhunë i banorëve tek “Bregu i Lumit”, Klevis Balliu flet në “Top Talk”

09/04/2019 17:09

Sot në Top Talk ka qenë i ftuar ish-deputeti i PD-së Klevis Balliu, një prej protagonistëve më aktivë në protestat politike të opozitës por edhe në protesta për kauza të tjera, kryesisht në kundërvënie të akteve të qeverisë dhe bashkisë së Tiranës. Një prej tyre është edhe protesta e banorëve të Bregut të Lumit, të cilët patën përplasje të forta me policinë mëngjesin e së martës, pasi refuzonin prishjen e banesave të tyre për vijimin e punimeve të Bulevardit të ri.

Në studion e Top Talk, Klevis Balliu shprehet se banorët e këtij loti nuk janë shpronësuar nga banesat e tyre, e atyre as nuk u janë garantuar kushtet minimale për strehim.

“Loti i parë dhe i dytë janë shpronësuar. Të gjitha ato shtëpi kanë të njëjtën problematikë, ndërsa në lotin e tretë qeveria me Bashkinë bënë vlerësimin për shtëpitë që sot po i prishin. E i prenë në besë banorët pas një marrëveshje që patën me ta. Kjo në shkelje të hapur të ligjit. Ligji e thotë qartazi, s’mund të shpronësosh një person pa i gjetur më parë kushtet për strehim”, u shpreh Balliu.

Sipas ish-deputetit të PD, Bashkia e Tiranës nuk ka ofruar asgjë për këta banorë.

“Veliaj para vitit të ri, iu premtoi atyre se nuk do të prisheshin shtëpitë e tyre. Zgjidhja e Veliajt ishte se nuk do t’u prisheshin shtëpitë pa u siguruar më parë strehim”, tha Klevis Balliu, duke shtuar se edhe atyre që u ka dalë shpronësimi në Lotin 1 nuk kanë marrë asnjë lek.

Ai më tej shton se në kohën e PD diskutohej shuma që do të përfitonte qytetari, ndërsa tani diskutohet nëse do e marrin apo jo.

“Ligji në kohën e PD ishte legalizim-urbanizim. Ne i legalizonim banesat ku kalonte projekti për t’u dhënë atyre dëmshpërblim. Ndërsa Rama në 2016 e ndërroi ligjin, e bëri urbanizim-legalizim”, u shpreh Klevis Balliu.

Gjatë intervistës, Balliu, pamjet e protestës së sotme ai i krahasoi me skenat e luftës në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA