Ligji Shqiptar ka standarde të përgjithshme edhe për varrezat si territor. Neni 4, pika 1 e ligjit për shërbimin funeral thotë që varrezat duhet te jene te izoluara nga zonat e banimit nëpërmjet zonës se rezervuar.

Pika 2 e këtij neni, vijon me distancat. Kur komuniteti ka mbi 10 mijë banorë, distanca nga varrezat duhet të jetë 100 metër. Kur banorët janë më pak se 10 mijë, distanca e banesave nga varret duhet të jetë 50 metër.

Në fakt ky standard nuk zbatohet në varrezat shqiptare. Shikoni këto shtëpi pranë varrezave të Sharrës! Ato janë aq afër, sa streha e çatisë është pothuajse mbi varre.

Ndërkohë neni 10 i këtij ligji, thotë që në varrezat publike duhet të ketë një vend të posaçëm për kryerjen e riteve fetare. Në asnjë varrezë në Shqipëri një vend i tillë nuk ekziston.

Vendimin e Këshillit të Ministrave, i vitit 2014, tregohet edhe me tabelë se si duhet të jetë planimetria e një varreze.

Ajo ndahet në 4 zona. Secila prej tyre duhet të ketë hapësira për një numër të caktuar shërbimesh. Për shembull në zonën A, duhet të ketë një sallë ceremoniale. Të jetë e mbuluar dhe të ketë vend për tu ulur njerëzit. Kjo nuk ekziston në asnjë varrezë në vendin tonë. Madje as në dy varrezat kryesore të Tiranës, si më të mëdhatë në vend.

Ndërkohë zona B, duhet të ketë një parcelë për varrimin e njerëzve të shquar. Në varrezat tona, njerëzit e shquar që nuk jetojnë më, i kanë varret të humbur, mes mijëra varreve të mermerosur. Askush nuk di ti gjej, përveç familjes.

Shitësit e luleve dhe parkimi duhet të jenë në zonën D. Në varrezat tona kaosi shkon përtej çdo imagjinate. Shitësit e luleve i gjen kudo. Të vendosur në çdo cep dhe trotuar të lire, ndonjëherë edhe mbi varrin e familjarit tënd.

Mes varrezave shikon kazane plehrash që kanë rënë mbi varre. Plehra që digjen sikur janë një landfill. Sheh baltë e pluhur. Madje në varrezat e Tufinës ka edhe një bar kafe, brenda territorit të saj. Ka edhe biznese private që bëjnë varre mermeri.

Dhe sipas ligjit brenda territorit te varrezave ato nuk lejohen. Kulmi arrin deri aty, sa që në mes të varrezave të Sharrës, ndodhet një nënstacion elektrik i tensionit të lartë. Një pamje aspak e denjë për të nderuar ata që nuk jetojnë më.

E gjithë kjo situatë është lënë jashtë vëmendjes së shtetit. Përgjegjësit e ngarkuar nga pushteti vendor për menaxhimin e varrezave janë inekzistent. Më shumë ata janë kthyer në sekserë të hapësirave për varre.

Kohët e fundit përgjegjësi i varrezave të Tufinës ka dhënë bekimin e tij për të ndërtuar varre në mes të rrugicave. Pavarësisht se tokë të lirë ka, njerëzit kanë filluar të bëjnë varre në mes të asfaltit. Këto janë varre te reja. Për të mos shkuar shumë larg, atje ku vazhdon zgjerimi i varrezës, njerëzit kanë bërë varret e reja, mbi rrugët ku duhej të kalonte makina funerale. Disa kanë bllokuar edhe pusetat që kullojnë ujin e shiut.

Një problem më i madh mbetet siguria në varreza. Roje ka, punonjës të agjencisë funerale ka. Por varre të dhunuar sheh kudo. Vjedhjet janë të zakonshme. Kryesisht merren vazot e luleve. Ato pastrohen dhe rishiten tek pikat e mermerit. Disa prej vazove janë thyer në përpjekje për ti shkulur dhe i sheh gjithandej të hedhura përtokë.

Top Channel