“Pse ishte transformuar Ilir Meta?”/ Seanca e ish-presidentit, Grida Duma në ‘Top Story’: Pamja e tij sot ka prekur shumë njerëz

27/04/2026 22:13

Ilir Meta prej 18 muajsh ndodhet në paraburgim dhe pamjet e fundit publike të tij ishin ato të arrestimit më 21 tetor 2024.

Por ish-kreu i shtetit në seancën e parë gjyqësore ndaj tij është shfaqur i transformuar. Në këto muaj në izolim ka rënë në peshë dhe ka pësuar një ndryshim në pamje.

Këtë të hënë në seancën e parë që u transmetua online, Meta u shfaq pas kafazit të xhamit, teksa pranë tij ishin ish bashkëshortja Monika Kryemadhi dhe avokati Kujtim Cakrani.

Kafazi i qelqtë dhe transmetimi live i seancave gjyqësore ishin retorika e gjyqeve të zyrtarëve të lartë, që nga ish-presidenti Ilir Meta tek Erion Veliaj dhe Arben Ahmetajt.

Moderatorja Grida Duma, e nisi emisionin e kësaj të hëne të “Top Story” me një monolog sa i përket seancës së parë gjyqësore ndaj Metës, nga e cila u diskutuan edhe rreth gjendjes shëndetësore të ish-presidentit të Shqipërisë.

“Padyshim ka qenë një nga foto më të klikuara ajo e Ilir Metës sot. Padyshim, komunikimi midis ish-bashkëshortes, ai simbolik dhe i situatës së tyre ka qenë një nga më të diskutuarat dhe më të dialoguarat në rrjetet sociale dhe jo vetëm. Por kjo është vetëm sipërfaqja e një sistemi gjyqësor, i cili nuk pritej të kishte këtë vëmendje për shkak të tejzgjatjes së tij. Ofiqarë të lartë që janë nën akuzë dhe në paraburgosje.

Kemi nisur diskutimet, analizën, mbështetjen ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe Reformës në Drejtësi, dhe i kemi qëndruar me kohezion të plotë. Kemi nisur gjithashtu një analizë të plotë sa i përket të drejtave të njeriut dhe se si kjo drejtësi po zhbalancohet apo jo për sa i përket disa të drejtave bazë, sidomos asaj të paraburgosjes së gjatë.

Janë procese të tejzgjatura dhe duhet thënë që pavarësisht një perceptimi popullor, të cilin ne nuk e gjykojmë, por gjithsesi mund ta dekriptojmë, i cili e adreson klasën politike shqiptare si të korruptuar të gjithën në tërësi, pavarësisht dëshirës së shqiptarëve për të parë drejtësi dhe për një lloj hakmarrje të madhe politike ndaj një korrupsioni të gjatë në këto 30 e ca vite, një gjë mund të ishte më e drejtë, dhe kjo qëndron vetëm si një editorial i imi në Top Story. Më e drejtë do të ishte nëse e gjithë klasa politike, me perceptim publik, është e gjitha e korruptuar dhe drejtësia në mënyrë të gjithanshme duhet të godiste kudo njësoj, jo me selektivitete.

Nëse e gjithë klasa politike dhe SPAK-u nuk e përjashton dot faktin që këto ngjarje janë politike po aq sa dhe gjykime të jurisprudencës, nga ana tjetër, disa standarde jemi të detyruar që me një analizë të ftohtë t’i shohim ashtu siç janë, në sy.

Pamja e Ilir Metës sot ka prekur shumë njerëz sa i përket gjendjes së tij psikologjike, fizike dhe të gjithave më tej. Njerëzit kanë pritur sot që ai proces gjyqësor të shfaqej, të vazhdonte dhe të mos vazhdonte më. Sepse një paraburgim, 1.5 vite, 1 vit, 2 vite mbeten shumë të çuditshme sa i përket pritshmërisë popullore, në kushtet që kemi të bëjmë me ish-president, ish-kryeministër, ministër i Jashtëm, dhe për këtë arsye, ndaj publikut shqiptar dhe ndaj pritshmërive të një SPAK, i cili po bën ‘drejtësinë’ e pritur dhe të shumëpritur, është shumë e drejtë të jepen verdikte shumë më të shpejta, sesa tejzgjatje të tilla në kuptimin publik të fjalës”, u shpreh Duma.

Top Channel