Moda duhet të jetë vetëm për shije, mes të tjerave. Por për shijen e mirë mund të mjaftojë vetëm një njeri. Siç ka thënë Diana Vriland: “Vulgariteti është përbërës shumë i rëndësishëm në jetë”. Vriland, e cila ka qenë botuese e “American Vogue” në vitet 60, besonte te vulgariteti po me aq pasion sa te këpucët rozë. Pa atë, njeriu mund të vdiste nga mërzia: “Një shije e keqe është si pak piper në pjatë. Të gjithë duam pak. S’ka shije që të më ketë mua kundër.”

Kur u njoftua vdekja e Karl Lagerfeldit, unë mendova për Vrilandin, si të vetmen rivale në modë. Të dy kishin ngjashmëri, që nga pamja e veçantë, prirja për të modifikuar biografitë, por mbi të gjitha, ata kuptonin që shija e mirë kishte nevojë dhe për pak të keqe: “një gjë e vogël që të bëjë të ngrihen vetullat e lyera me kujdes. Shikoni koleksionet e Lagerfeldit, dhe sado të mira t’ju duken xhaketat, do të ketë gjithnjë një detaj që është pak i tepruar, ndoshta shumë perla, që bien në kategorinë e vulgares.

Ky vulgaritet ishte gjithnjë i pranishëm në mbretërinë e tij, që nga bishti i flokëve e deri te rripi me diamante. Lagerfelti pëlqente t’i përziente gjërat, një dëshirë që u vjen atyre që fitojnë vetëbesim në fushën e modës. Ai ishte i informuar mirë për operën, mobiliet dhe arkitekturën. Kishte një bibliotekë të madhe dhe lexonte në shumë gjuhë.

Ai koleksiononte stoli të dizenjuara nga Suzanë Belperron, që kishte klientë si Koletë dhe Zhan Kokto. Kështu që, pse duhej ta vriste mendjen se ç’mendonin të tjerët për xhinset e ngushta që kombinoheshin me kostumin me kravatë?

Lagerfeldi lindi në Gjermani, në vitin 1933. Babai i tij, Otoja, ishte pasuruar nga biznesi me qumësht të kondensuar. Mamaja e tij, Elizabeta, ishte shitëse rrobash të brendshme që vishej si Kruela De Vil. Karlit i kishte thënë Mutti që kishte duar të shëmtuara, ndaj mbante dorashka. Por kjo nuk e bënte djalin e saj të stepej. Përkundrazi. Ai thoshte në intervista që e pëlqente padurimin dhe të folurën e drejtpërdrejtë të nënës së tij. Ai mund të ketë trashëguar prej saj vullnetin e madh për punë, pasi publikonte 14 koleksione në vit, si dhe arrogancën fyese (thoshte që tatuazhet janë të shpifura, si të jetosh gjithë jetën në një kostum Puçi), frikën nga braktisja (e humbi muzën e tij, modelen franceze Ines de la Fresanzhë, kur ajo u martua).

Lagerfeldi u largua nga shtëpia në moshën 14 vjeçare dhe u arsimua në Paris. Në vitin 1954, dizenjoja e tij, e një xhakete leshi, mori çmim nga Sekretariati Botëror i Veshjeve të Leshit, në Francë. Këtë çmim e mori bashkë me Iv Sent Laurent, që më pas u bë rivali i tij i përjetshëm. Pasi u bë ndihmës i një prej gjykatësve të jurisë, ai punoi te Zhan Pato dhe në vitin 1964 iu bashkua “Kloe”. Në vitin 1965 iu bashkua Fendi-t, me të cilët vazhdoi derisa vdiq. Në vitin 1983 bashkëpunoi me Chanel.

Marka në atë kohë i bazonte të ardhurat te parfumet dhe kostumet për gratë në moshë të mesme (Koko kishte vdekur në vitin 1971). Detyra e Lagerfeldit ishte ta përshtaste me të tashmen.

Misioni i tij u përmbush shumë shpejt. Fillimisht ishin dizenjot e tij, më të guximshme e më seksi, por që kujtonin Chanel, siç kishte qenë që në vitet 1930. Siç thoshte Vriland: “Funde ciganësh, qëndisje fantastike për zbukurim dhe bolero”.

Edhe një herë, Chanel ishte simboli i statusit të modës. Si gjithnjë, fliste për shije të lartë dhe parà. Por tani po sillej edhe në mënyrë argëtuese. Në vitet 1990 kam pasur një shefe që kishte një kostum Chanel, të cilën ajo e vishte si armaturë (i nevojitej, ashtu si silleshin kolegët meshkuj). Por kishte dhe diçka të bukur. Mëngët ishin të zbukuruara me marabu, në mënyrë neglizhente, duke bërë që të mos ishte një kostum si gjithë të tjerët.

Pas vdekjes, Lagerfeldit i janë thurur shumë tribute nga bota e modës. Akuzat i mori për të qenit diskriminues, pasi kishte quajtur këngëtaren Adele “shumë të shëndoshë” dhe modelet “mumje të shëndosha që kanë zili të dobëtat”, dhe pasi doli kundër lëvizjes #MeToo.

Si një feministe që i pëlqen veshjet, e që i sheh si të rëndësishme, dua të citoj dikë që ka thënë se rrobat janë mobilimi i mendjes, në mënyrë që ta shohin të gjithë, e shpesh janë pasqyrë e shpirtit. Ndaj, unë e shoh Lagerfeldin nga të dy pikëpamjet: nga gjenialiteti në stilim, dhe arroganti që nuk i pëlqente koleget femra me këpucë pa taka.

Njëra nuk ka pse e fshin patjetër tjetrën. Dhe botës së modës ka për t’i munguar shumë. Është fantastike që tani ka shumë gra që drejtojnë shtëpi të modës e që prodhojnë rroba për gjininë e tyre. Por Lagerfeldi është i fundit i llojit të tij. Dhe pas tij do të ketë vetëm deklarata të thjeshta e të mërzitshme, të bëra me kujdes nga zyrat e shtypit.

Rachel Cooke, The Guardian

Top Channel