Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi u çel ekspozita “Gjon Mili: Retrospektivë”, një ngjarje e rëndësishme kulturore që sjell për herë të parë në Shqipëri një përzgjedhje origjinale fotografish dhe materialesh arkivore të fotografit shqiptaro-amerikan Gjon Mili, një prej emrave më të rëndësishëm të fotografisë botërore të shekullit XX.
I lindur në Korçë në vitin 1904 dhe i larguar drejt Shteteve të Bashkuara në moshë të re, Gjon Mili ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme në kryqëzimin mes shkencës dhe artit.
“Kjo është ekspozita më e mirë që i është kushtuar ndonjëherë Gjon Milit dhe jam shumë i lumtur që ajo po prezantohet në Muzeun Marubi. Me veprën e tij jam njohur rreth 50 vite më parë dhe që atëherë kam kuptuar rëndësinë që ai kishte në historinë e fotografisë dhe në jetën kulturore të qyteteve si New Yorku dhe Parisi. Falë bashkëpunimit me Muzeun Marubi, një pjesë e këtyre fotografive kanë dalë nga arkivat dhe prezantohen sot për publikun shqiptar.
Ajo që e bën këtë ekspozitë veçanërisht të rëndësishme është fakti se vizitorët kanë mundësinë të shohin printet origjinale, të cilat zbulojnë jo vetëm cilësinë artistike të veprës së Milit, por edhe detaje të procesit të tij krijues dhe Teknik”, u shpreh kuratori i ekspozitës, Howard Greenberg.
Një vend të veçantë në ekspozitë zënë fotografitë ikonike të realizuara me Pablo Picasso-n në vitin 1949. Retrospektiva ka sjellë gjithashtu imazhe të valltarëve, muzikantëve dhe figurave të njohura të kulturës amerikane, mes tyre edhe Tina Turner.
Top Channel