Rilindasin e fundit e cilëson Dhimitër Shuteriqin studiuesi dhe gazetari Dashnor Kaloçi.
Në veprën e tij mbështetur në dokumente, dëshmi dhe burime arkivore, Kaloçi analizon kontributin e Shuteriqit si një urë lidhëse ndërmjet epokës së rilindjes dhe kulturës shqiptare të pasluftës.
“Në këtë kohë kur informacioni qarkullon me shpejtësi dhe shpesh kujtesa kolektive rrezikon të mbetet sipërfaqësore, libra të tilla na kujtojnë se historia e kulturës ndërtohet mbi kërkim serioz dhe të përgjegjshëm”, u shpreh botuesja Elda Vela.
Vera sjell dëshmi të reja mbi marrëdhëniet e Shuteriqit me institucionet e kohës, duke sjellë të dhëna të reja edhe për vetë familjen me fakte dhe dokumente që rrëzojnë paragjykimet e kohës.
Vajza e Dhimitër Shuteriqit, Zana Shuteriqi thotë: “Babai im jetoi tre kohë, koha para luftës dhe lufta, koha e komunizmit dhe 13 vite në demokraci. Puna e studiuesit është e vështirë, e falënderoj Kaloçin që ka zbuluar një realitet tjetër në këtë libër, i vlefshëm për ne familjarët por edhe për shoqërinë”.
Kontributi i Shuteriqit në fushën e historisë së letërsisë dhe studimeve albanologjike mbetet themelor. I kushtoi jetën kërkimit të rrënjëve të kulturës shqiptare me një vetëdije të lartë kombëtare.
“Ka qenë gjithmonë në mbështetje të të rinjve. Mbaj mend kur bëra një vizitë në shtëpinë e tij dhe jam befasuar, ndihesha sikur isha në bibliotekën më të madhe të botës”, shprehet miku i Dhimitër Shuteriqit, Prof. Luan Malltezi.
Autori analizon rolin e Shuteriqit kryetar i lidhjes së shkrimtarëve, teksa citon një letër të Maush Myftiut dërguar Enver Hoxhës për të larguar Shuteriqin nga Lidhja e Shkrimtarëve.
Autor i veprës, Dashnor Kaloçi u shpreh: “Në letër i thotë që ne duhet ta dërgojmë nga Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarit para Kongresit, se na ka nxjerrë probleme. Nuk e larguan, por e larguan në 1974 duke e akuzuar për veprimtari armiqësore bashkë me Fadil Paçramën, Todi Lubonjën e Ismail Kadarenë”.
Libri mban parathënie nga vetë Ismail Kadare dhe hulumton jetën dhe veprën e Dhimitër Shuteriqit, një nga figurat më komplekse dhe më me ndikim të letërsisë shqipe, në kontekstin e regjimit komunist.
Top Channel