Bashkia Tiranë hap kënd lodrash në Vaqarr. Veliaj: Shqipëria ndryshon nga ata që e çojnë detyrën deri në fund

23/02/2019 13:49

Bashkia e Tiranës ka ndërtuar një kënd lodrash për fëmijët e Vaqarrit.

Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte sot në hapjen e këndit me sipërfaqe 1155m2, me module e lodra për fëmijë e hapësira çlodhjeje për më të rriturit.

AI theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur, duke shtrirë investimet jo vetëm në qendër, por edhe në zonat rurale. “Është gjithmonë kënaqësi e jashtëzakonshme rikthimi në Vaqarr. Ky është këndi ynë i 43-të në 43 muaj punë në Bashkinë e Tiranës. Pas këndeve të lojërave në Krrabë, në Dajt, në Kashar, në Farkë, tani kemi edhe këndin e lojërave në Vaqarr, për t’u siguruar që fëmijët e Tiranës, pavarësisht ku jetojnë, në ish komuna apo në qendër të Bllokut, të kenë të njëjtin akses për një fëmijëri të shëndetshme”, deklaroi Veliaj.

“Do të vazhdojmë edhe me mbjelljet, edhe me rikonstruksionin e shkollave. Vaqarri ishte ai që vuante më shumë nga landfilli i vjetër i Sharrës; por landfilli i ri jo vetëm ka eliminuar mbetjet, helmet dhe djegiet që ndodhnin aty, ndërsa sot është kthyer në një park. Ndërkohë, po i rikthejmë fytyrën e vërtetë liqenit të Vaqarrit. Ka qenë një zonë pyjore, me pisha, e degraduar, e vjedhur, e prerë, e shkatërruar, sot po rimbillet”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Ai nënvizoi se Shqipëria ndryshon vetëm nga ata që e çojnë deri në fund detyrën dhe angazhimet e marra përpara qytetarëve: “Shqipëria ndryshon nga ata që e marrin përsipër detyrën, jo nga ata që e lënë lojën në mes, jo nga ata që dorëzojnë përgjegjësitë, jo nga ata që prishin në mes të rrugës kontratën me qytetarët dhe thonë: U lodha tani, nuk dua më! Kush ka bërë kontratë me qytetarët, si deputet, si kryetar bashkie, si njësi administrative, duhet ta çojë deri në fund, ndryshe mesazhi që japim për qytetarët është se nuk e kemi me të vërtetë këtë punë. Bashkia e Tiranës, qeveria shqiptare, njësitë tona administrative janë shumë serioze. Ne jemi seriozë edhe për lojërat e kalamajve, jo më për gjëra shumë të rëndësishme që kanë impakt në komunitetin tonë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA