Sulmuesi italian Mario Balotelli transferohet zyrtarisht te Marseja, skuadra e futbollit francez që ngulmoi më shumë për ta pasur që këtë muaj lojtarin problematik, por me shumë potencial, që ndryshon fanellën, por jo kampionatin.
Sulmuesi 28-vjeçar braktisi skuadrën e Nicës, e pavarësisht se u përfol për transferimin e tij në Premier League, ai do të mbetet brenda Ligue 1.
Një kontratë 6-mujore dhe një pagesë prej 3 milionë eurosh për kaq pak kohë, do të vërtetojnë nëse “Supermario” do të jetë vërtet një djalë i keq edhe në kampin marsejez, apo do të përligjë besimin e drejtuesve për t’ia rinovuar kontratën.
“E di që tifozët e Marsejës pretendojnë shumë te futbollistët dhe shpresoj t’i bëj të lumtur kur të luaj. Jam i ngjashëm me njerëzit e kësaj zone dhe nuk do të kem probleme. Mua nuk më pëlqen të flas, por do ta bëj këtë përmes golave”, tha Mario Balotelli, futbollist i Marsejës.
Në marrëveshjen e Olimpikut të Marsejës dhe Balotellit bie në sy një klauzolë që lidhet me numrin e golave. Nëse “Supermario” do të shënojë të paktën 10 gola deri në muajin qershor, do të marrë shpërblime të majme. Futbollisti shpreson se, me këtë lëvizje do të rifitojë një fanellë në kombëtaren italiane, e prova e parë do të jetë të premten kundër Lillës në stadiumin “Velodrome”.
Top Channel