Drita nuk pati mëshirë për Tri Fiori në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë kualifikues të Conference League dhe zyrtarizoi kalimin për në raundin e playoffit të kompeticionit.

Në ‘Fadil Vokrri’ skuadra kampione e Kosovës që vinte me fitoren e ndeshjes së parë 4-1, arriti të mposhtë sërish me lehtësi kundërshtarët këtë radhë me rezultatin 5-0. Drita e hapi festivalin e golave me Nguenen në minutën e 20 me këtë të fundit që në të 41 shënoi sërish duke e çuar rezultatin në 2-0 për kampionët e Kosovës.

Por skuadra gjilanase nuk kishte të ngopur pasi vetëm 2 minuta më vonë Arb Manaj e çoi rezultatin në 3-0 për Dritën dhe me këto shifra u mbyll edhe pjesa e parë. Pas pushimit të ndeshjes, Drita i vijoi sulmet teksa shënoi edhe dy herë të tjera. Mike Arthur shënoi golin e katërt, ndërsa manitën e plotësoi Arb Manaj që në këtë mënyrë realizoi edhe një dygolësh personal. Sfida u mbyll 5-0 për Dritën që e mbyll këtë raund të tretë kualifikues me rezultatin e përgjithshëm 9-1 dhe në playoff do të ketë si kundërshtar të radhës skuadrën e Inter Escaldes.

 

Top Channel