Një spanjoll në krye të arbitrimit shqiptar/ Prezantohet Drejtori i ri, Gonzalez Vazquez: Premtoj të punoj fort dhe të jap besueshmëri
Dikur luftonte në kategoritë e ulëta të futbollit shqiptar, sot Egnatia po shkruan historinë në Europë.
Skuadra e vogël e Rrogozhinës përmbysi një disavantazh 1-3 ndaj Shamrock Rovers dhe, me fitoren 5-1, siguroi një tjetër kapitull të rëndësishëm në historinë e saj.
Ka histori që shkruhen me vite. Ka të tjera që duken sikur janë shkruar nga një skenarist. Historia e Egnatias së Rrogozhinës i ngjan më shumë të dytës.
Një klub nga një qytet i vogël shqiptar, që vetëm pak vite më parë luante në kategoritë e ulëta të futbollit, sot është kthyer në një nga skuadrat më të suksesshme të Shqipërisë dhe po përballet me emra të njohur të futbollit europian.
Mbrëmjen e së enjtes, Egnatia bëri një tjetër hap të rëndësishëm. Pas humbjes 3-1 në Irlandë ndaj Shamrock Rovers, skuadra rrogozhinase duhej të përmbyste një deficit prej dy golash për të vazhduar aventurën europiane. Dhe bëri më shumë se kaq. 5-1 në Rrogozhinë dhe 6-4 në total, duke siguruar play off-in e Europa League dhe zyrtarisht pjesëmarrjen nw Conference League.
Shamrock Rovers, një nga klubet më të njohura të Irlandës, u eliminua pas një pjese të parë të jashtëzakonshme të Egnatias, e cila shënoi katër gola dhe përmbysi brenda pak minutash gjithçka që dukej e vendosur pas ndeshjes së parë.
Dhe ndoshta këtu qëndron pjesa më interesante e historisë.
Egnatia nuk është një klub me një traditë të gjatë në majat e futbollit shqiptar. Përkundrazi, ngjitja e saj është një fenomen i viteve të fundit.
Në vitin 2017, Egnatia fitoi Kategorinë e Dytë. Katër vite më vonë, në vitin 2021, fitoi Kategorinë e Parë dhe siguroi ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar.
Që atëherë, gjithçka ka ndodhur me një ritëm të jashtëzakonshëm.
Në sezonin 2022-2023 erdhi Kupa e Shqipërisë, trofeu i parë madhor i klubit. Një vit më pas, Egnatia fitoi edhe kampionatin shqiptar dhe e mbylli sezonin me një tjetër Kupë dhe Superkupën e Shqipërisë. Më pas, dominimi vazhdoi.
Egnatia u shpall kampione e Shqipërisë edhe në sezonet 2024-2025 dhe 2025-2026, duke arritur tre tituj radhazi.
Nga kategoritë e ulëta në majën e futbollit shqiptar në vetëm pak vite. Dhe tani, në Europë.
Rrogozhina nuk është Tirana. Nuk është Shkodra. Nuk është Durrësi apo Vlora. Është një qytet i vogël, por skuadra e tij po luan në një skenë që dikur dukej shumë larg.
Egnatia ka kaluar nga ndeshjet e Kategorisë së Dytë te përballjet europiane, nga stadiumet shqiptare te udhëtimet në Europë dhe nga një klub modest te një skuadër që tashmë ka eliminuar një kundërshtar me histori në futbollin europian.
Fitorja ndaj Shamrock Rovers është një tjetër dëshmi e këtij transformimi. Dhe ajo që e bën edhe më interesante është se rrugëtimi nuk ka përfunduar.
Pas suksesit 5-1, Egnatia do të luajë në play-off-in e Europa League, ku do të përballet me Lillestrøm. Në rast eliminimi, skuadra shqiptare e ka të garantuar pjesëmarrjen në fazën e ligës së Conference League.
Pra, një skuadër që pak vite më parë luante në kategoritë e ulëta të Shqipërisë, sot e ka siguruar tashmë një vend në fazën e ligës së një kompeticioni europian, ndërsa ende ëndërron të shkojë edhe më larg.
Në futboll, paratë, emri dhe tradita shpesh krijojnë hierarki. Por Egnatia po tregon se ndonjëherë një klub mund ta ndërtojë rrugën e tij hap pas hapi.
Egnatia nuk është më thjesht një surprizë e futbollit shqiptar. Është një histori suksesi që po kalon kufijtë e Shqipërisë. Një histori e një qyteti të vogël, që në pak vite ka arritur të bëhet pjesë e skenës europiane të futbollit.
Top Channel