Pogradec

I gjithë territori i vendit është përfshirë nga reshjet e dendura të borës, ndërsa ka pasur probleme në disa zona rurale dhe akse rrugore nacionale. Që nga Shkodra e deri në Gjirokastër vijojnë reshjet e borës, duke bllokuar në disa raste edhe lëvizjen e automjeteve në rrugë.

Për shkak të motit të keq në zonat veriore dhe juglindore të vendit mësimi nuk është zhvilluar, ndërsa në zona të tjera ka pasur reduktim të orëve të mësimit, për shkak të temperaturave të ulëta.

Në qarkun Shkodër problem mbetet aksi Dedaj-Razëm dhe ajo për në Koplik. Në Pukë dhe Fushë Arrëz, trashësia e borës i kaluar 40 centimetrat. Në qytetin e Shkodrës nisen reshjet e borës që në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, duke shkaktuar probleme në rrugët e brendshme.

Në Bulqizë ka vështirësi në qarkullimin në rrugët nacionale dhe ato rurale për shkak të reshjeve të dendura. Aksi Peshkopi-Bulqizë kalohet me zinxhirë. Përsa i përket rrugëve që lidhin qendrat e njësive administrative me rrugën nacionale, kalohet me zinxhirë me shumë vështirësi sidomos në Trebisht, Ostren, Zerqan, Martanesh e Fushë Bulqizë, ku raportohen disa fshatra të bllokuar pasi trashësia e dëborës ka arritur deri në 50 cm.

Për banorët situata mbetet e vështirë. Në aksin nacional Bulqizë-Peshkopi, për ta mirëmbajtur rrugën ka qenë vetëm një borëpastruese, gjë që nuk ka dhënë asnjë rezultat.

Por edhe jugu i vendit ka përjetuar situata të vështira për shkak të motit të keq dhe me reshje bore. Disa akse rrugore në qarkun e Gjirokastrës kanë qenë të bllokuara, një pjesë e të cilave janë hapur gjatë orëve të pasdites, pas ndërhyrjes së mjete borëpastruese.

Gjendja paraqitej më e rënduar nga Qafë Mali deri ne Qafë Muzinë. Ndërkohë, gjatë orëve të pasdites dy barinj nga Dropulli kanë mbetur të bllokuar. Alket Nikolli nga Golemi është bllokuar me 400 krerë bagëti në zonën e Dropullit dhe Ali Dosti nga Këlcyra i bllokuar me 1 mijë krerë në Dishnicë të Tepelenës dhe është kërkuar ndihma e autoriteteve për të bërë të mundur ndërhyrjen. Në Përmet më shqetësuese është zona e Frashërit, e cila kalohet në zona të caktuara me zinxhirë për shkak të trashësisë së dëborës, e cila kalon në disa vende 30 cm.

Në qarkun e Korçës dhe Elbasanit, probleme ka patur përveç zonave rurale, edhe në akset nacionale. Në akset e Korçës trashësia e borës shkon rreth 30 cm dhe qarkullohet me zinxhirë, ndërsa në Dardhë dhe Voskopojë, situata është më e rënduar.

Gjithashtu edhe akset nacionale Korçë-Ersekë dhe Pogradec-Korçë në disa pika të veçanta kanë qenë të kalueshme me zinxhirë. Gjatë orëve të pasdites u njoftua për bllokimin e zonës së Dardhës për shkak të rënies së ortekëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA