“Kushdo që nuk nënshtrohet do të eliminohet”/ Presidenti kolumbian dërgon ushtrinë në Santa Marta
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e përdori fjalimin e tij nga podiumi i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork për të mbrojtur politikat e administratës së tij, duke u ndalur veçanërisht te operacioni ushtarak amerikan në Iran, konfliktet ndërkombëtare dhe çështjet që lidhen me sigurinë dhe ekonominë amerikane.
Fjalimi, disa javë para zgjedhjeve të mesit të mandatit, përmbajti edhe mesazhe të drejtuara ndaj opinionit publik në SHBA, në një kohë kur administrata përballet me presion për shkak të kostos së jetesës dhe ndikimit ekonomik të luftës në Iran.
Trump deklaroi se nuk do të lejojë Iranin të pajiset me armë bërthamore, ndërsa paralajmëroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje me Teheranin, alternativa do të jetë “shkatërrimi i Republikës Islamike”. Në të njëjtën kohë, ai shprehu bindjen se një marrëveshje me Iranin mund të arrihet pas zgjedhjeve të mesit të mandatit.
Presidenti amerikan u bëri gjithashtu thirrje vendeve të tjera anëtare të OKB-së që të vazhdojnë presionin ekonomik ndaj Iranit, të cilin e cilësoi si “shteti numër një sponsor i terrorizmit”.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua edhe arritjeve që Trump ia atribuon administratës së tij në fushën e imigracionit, reduktimit të krimit dhe menaxhimit të krizave ndërkombëtare.
Trump tha se kishte ndihmuar në përfundimin e tetë konflikteve, duke përmendur përplasjet mes Kamboxhias dhe Tajlandës, Kosovës dhe Serbisë, Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës, Pakistanit dhe Indisë, Armenisë dhe Azerbajxhanit, si dhe situatën në Gaza.
Sa i përket Ukrainës, Trump deklaroi se beson se Rusia dhe Ukraina do të arrijnë një marrëveshje. Ai e përshkroi takimin me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, si “pozitiv dhe produktiv”, duke thënë se palët diskutuan hapa të mundshëm për uljen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për diplomaci.
Në fjalimin e tij, Trump foli edhe për Kubën, duke shprehur bindjen se qeveria komuniste e vendit “do të bjerë”. Deklarata bëri që delegacioni kuban të largohej nga salla.
Presidenti amerikan u ndal gjithashtu te Venezuela, ku tha se administrata e tij ka pasur një nivel të konsiderueshëm bashkëpunimi me zyrtarët venezuelianë. Trump foli për “një të ardhme shumë më të mirë për popullin e Venezuelës” dhe njoftoi një marrëveshje të madhe të naftës mes dy vendeve.
Në mesin e zhvillimeve që Trump renditi si arritje të administratës së tij ishte edhe marrëveshja mes Danimarkës dhe Groenlandës, e cila, sipas tij, i hap rrugë Shteteve të Bashkuara për të zgjeruar praninë dhe infrastrukturën e saj mbrojtëse në ishull.
Trump e përshkroi Arktikun si një zonë me rëndësi strategjike për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. Sipas tij, zhvillimet në Groenlandë forcojnë praninë amerikane në një rajon me rëndësi për sigurinë e SHBA-së dhe aleatëve të saj.
Në këtë kuadër, Presidenti amerikan e lidhi zhvillimin me rolin e NATO-s në Arktik dhe në Atlantikun e Veriut, duke e paraqitur praninë e mëtejshme të Aleancës në këtë zonë si një element të forcimit të sigurisë.
Fjalimi i Trump në OKB u përqendrua kështu në disa prej fronteve kryesore të politikës së jashtme amerikane, nga Irani dhe Ukraina te Gaza, Venezuela, Kuba dhe Arktiku, ndërsa paralelisht Presidenti kërkoi të theksonte rezultatet që administrata e tij i konsideron si arritje në politikën e brendshme amerikane.
Top Channel