Ekonomia shqiptare, drejt ngadalësimit. Banka Botërore: Rritja do të ulet në 3.6 për qind

10/01/2019 19:55

Ekonomia shqiptare po hyn në një fazë ngadalësimi, e cila mund të zgjasë për disa vite. Paralajmërimi vjen nga Banka Botërore, në raportin e fundit mbi perspektivën e ekonomisë globale.

Sipas BB-së, duke filluar që nga ky vit, rritja ekonomike e Shqipërisë do të bjerë në 3.6 për qind, nga 4 për qind që vlerësohet të ketë qenë vitin e kaluar. Ky është një ngadalësim i konsiderueshëm në aktivitetin ekonomik të vendit, i cili pritet të shtrihet përtej këtij viti.

Sipas Bankës Botërore, edhe për periudhën 2020-2021, ekonomia shqiptare do të rritet me ritme të ndrydhura, mesatarisht 3.5 për qind në vit.

Në fakt, ngadalësimi i ekonomisë shqiptare ishte paralajmëruar që më parë, për shkak të pritshmërive për rënien e investimeve, veçanërisht atyre nga jashtë.

Përfundimi i dy projekteve të mëdha energjetike, gazjellësit transadriatik TAP dhe Kaskadës së Devollit, krijon një hendek jo të vogël në ekonomi, të cilin Shqipëria nuk arriti ta zëvendësonte me investime të reja madhore.

Vet qeveria shqiptare parashikon një skenar tjetër për ecurinë e ekonomisë. Sipas saj, rritja ekonomike e vendit do të vijë duke u forcuar deri në nivelet 4.5 për qind, por ky parashikim duket se konsiderohet euforik nga ndërkombëtarët.

Rënia në 3.5 për qind e rritjes ekonomike ka pasoja të shumëfishta, duke e bërë më të vështirë zbutjen e varfërisë dhe rritjen e punësimit. Por, veç këtyre, ngadalësimi ekonomik vështirëson mbajtjen nën kontroll të financave publike, të cilat kanë nisur të kërcënohen nga rikthimi i borxheve të prapambetura.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA