“UEFA Europa League II”, lind një kupë e re në vitin 2021

03/12/2018 12:35

Duke nisur nga viti 2021, klubet europiane të futbollit do të kenë mundësinë për të garuar për një tjetër trofe kontinental, i treti pas Champions League dhe Europa League.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, që u mblodh në Dublin me rastin e shortit të kualifikueseve për Euro 2020, vendosi gjithashtu të aprovojë kompeticionin e ri, që do të quhet “Europa League II”, një ide kontroverse që mbetet gjithsesi për t’u parë nëse do të ketë sukses, apo do t’i shtohet kalendarit të tejngjeshur të ekipeve.

Në strukturën e tij, turneu i ri i UEFA-s do të jetë një pasqyrë e kupave ekzistuese. Do të marrin pjesë 32 skuadra, të cilat do të ndahen në 8 grupe me nga 4 pjesëmarrës. Më pas do të implementohet faza e eliminimit të drejtpërdrejtë deri në finalen e madhe, ndërsa tifozët po evokojnë një turne të mëparshëm të ngjashëm si Kupa UEFA.

Ndeshjet për turneun e ri të aprovuar nga qeveria e futbollit kontinental do të luhen çdo të enjte në orën 16:30 dhe fituesja do të ketë të drejtë të hyjë automatikisht në fazën finale të Europa League. Asnjë variacion nga pikëpamja e kalendarit për Championsin, që do të vazhdojë të zhvillohet sipas traditës, të martave dhe të mërkurave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA