Fiks Fare trajtoi mbrëmjen e sotme rastet e dy qytetarëve që denoncuan blerjet online nga “Media Shop”. Ata kishin blerë produkte online të cilat në njërin rast nuk ishte produkti që kishte blerë, kurse në rastin e dytë produkti prishet sapo përdoret. Qytetarët pohuan për Fiks Fare se produktet që u ishin tregtuar nuk janë cilësore dhe kompania nuk u përgjigjej pas ankesave që ata vetë kishin paraqitur.
Fiksi udhëtoi fillimisht drejt Korçës qyteti ku klienti i parë Gjergji Cala denoncoi blerjen e një televizori në ” Media Shop”.
Ai tregoi para kamerës së Fiksit se është telefonuar fillimisht nga një operatore telefonike dhe i kishte prezantuar ofertën. Si pas denoncuesit, iu tha se televizori ishte marke gjermane Sonny me të gjitha parametrat dhe pas dy ditësh mund të tërhiqte produktin.
Gjergji u telefonua nga posta private TNT Korçë se produkti kishte mbërritur dhe duhej ta tërhiqte. Pasi qytetari bëri pagesat dhe morri televizorin, fillimisht pa që nuk ishte produkti që i ishte reklamuar ne telefon gjatë ofertës. Televizori ishte SUNNY dhe nuk kishte asnjë parametër nga ato për të cilat ai kishte paguar dhe as Wi-fi. Qytetari menjëherë telefonoi numrin që ishte në faturë. Operatoret përgjigjen se duhet të telefonojë pas orës 18:00 dhe se nuk mund të kthejnë lekët, por vetëm shuma të konvertohet me produkte të tjera. Gjergji Cala ende nuk ka marrë asnjë zgjidhje edhe pse afati prej dy javësh për të kthyer produktin ka mbaruar për të.
Menjëherë pas denoncimit Fiks Fare shkoi në zyrat e TNT, postës private në Korçë . Punonjësit e postës u shprehën se ata vetëm sjellin produktin, nuk u lejohet të hapin porositë për të parë se çfarë kishte brenda dhe se nuk dispononin asnjë adresë të “Media Shop”. Kjo postë kishte vetëm kontratë me kompaninë që të dërgonte pakot në destinacion pasi ato ishin magazinuar nga vetë kompania në magazinat në Tiranë.
Fiksi telefonoi vazhdimisht në numrin e “Media Shop” dhe në shumicën e telefonatave ata nuk përgjigjeshin, por dhe në ato raste që telefoni hapej, operatoret nuk tregonin adresën por shpreheshin se operonin vetëm online si kompani. Për blerësit që kishin probleme lihej orari 18:00 që ata të komunikonin direkt me menaxheren, gjë që në të dy rastet që solli Fiks Fare nuk u bë e mundur ky komunikim.
Qytetari i dytë që u ankua në Fiks Farë ishte Kahraman Emini , i cili kishte blerë një shtrydhëse frutash. Fillimisht ai ishte telefonuar nga një operatore , ku i kishte prezantuar ofertën. Kahramani kishte paguar 100 mijë lekë të vjetra dhe së bashku me shtrydhësen i kishin bërë dhuratë edhe një palë gërshërë. Sapo kishte venë në punë pajisjen, ajo nuk punonte. Fiksi provoi para kamerës të përdorte shtrydhësen e frutave, por ajo punoi pjesërisht.
Përsëri gazetarët e Fiksit telefonuan “Media Shop” por operatorja nguroi të jepte përgjigje për adresën dhe zyrat fizike. Ajo pohoi se ata bëjnë vetëm shitje online.
Biseda telefonike me “Media Shop”
Denoncuesi – Për atë porosinë time se s’po më kthejnë përgjigje
Punonjësja e postës – Mua më thanë do flasim vetë me klientin. Me ato duhet të flasësh. Dëgjo D…
do e shikosh një klientë të “ Media Shopit”, zotërisë I kanë sjell televizorin e bëri pagesën ja çuam edhe “ Media Shop-it” pagesën mirëpo nuk ishte televizori në rregull. Ka folur me ata, I kanë thënë për ndërrim produkti po tani s’ja hapin fare telefonin. Më thotë se do e lajmëroi që ta marrë vetë klientin.
Fiksi – Zonjë si mundet të bëjmë ku mundet të gjemë adresën në Tiranë?
Punonjësja e postës – Ne punojmë vetëm me sistemin.
Fiksi – Po këta nuk kanë asnjë lloj adrese në Tiranë që mund të vemi ne?
Punonjësja e postës – Unë s’e di. Edhe ata në Tiranë që flas unë nuk e din se ne punojmë nëpërmjet sistemit.
Fiksi – V etëm me telefon?
Punonjësja e postës – Po
Fiksi – Ku mundet të ankohemi ne?
Punonjësja e postës – Nuk di ç’tu them. Siç I kanë mbyllur kontratat atë venë e qojnë në magazinën tonë porosit nuk është se vemi ne e I marrim porositë.”Media Shop-i” çka porosi sot, I dërgojnë në magazinat tona të Tiranës dhe ata i ndajnë, nuk është se venë shoferët tanë tek magazinat e tyre.
Denoncuesi – Televizori në rastin tim nuk është I prishur por unë pagova për parametrat që ajo më deklaroi që më tha është produkt gjerman dhe ka ËIFI, këto nuk i kishte dhe produkti nuk ishte gjerman.
Punonjësja e postës – Ne s’na lejohet ti hapim nuk e di ça është gjerman a turk a
Denoncuesi – Në këtë letrën thuhet se hapet në momentin që e ble
Punonjësja e postës – Po, thonë po ne nuk na lejohet. Atë e kanë sa për të bërë shitjen domethënë. Në qoftë se nuk bie dakord klienti ne e kthejmë mbrapsht. Kështu janë rregullat e kontratës do ti zbatojmë. Ata kur I shkruajta radhën e parë do flasim ne me klientin. me mendjen që kishit folur.
Denoncuesi – Fola unë më thonë të japim tenxhere të japim fshesë me korent po televizorin jo. Lekët nuk kthehen thanë po do ju kthejmë tenxhere më thanë.
Marrim në telefon punonjësen e “ Media Shop-it”
Operatorja e “Media Shopit” –Përshëndetje. Më thuaj…
Denoncuesi – Po, kam porositur një televizor tek kompania juaj “ Media Shop” porosinë e kam marrë një televizor Sunny, që neve na u dëgjua sikur the sony
Operatorja e “Media Shopit” –Sony është, po thjeshtë është teknologjia e fundit
Denoncuesi – Domethënë është Sony televizori
Operatorja e “Media Shopit” – Sigurisht që është Sony. Eshtë e njëjta familje, thjeshtë është prodhuar në 2018 dhe është shkruar Sunny.
Denoncuesi – Dhe çfarë prodhimi është ky?
Operatorja e “Media Shopit” –Çfarë prodhimi?
Denoncuesi – Po
Operatorja e “Media Shopit” –Atëherë këto janë prodhime që vinë direkt nga Gjermania, por fuqia punëtore mundet të jetë në Turqi a më kupton?
Fiksi – Zonjë a mundet të takohemi sepse nuk e kuptoi që prodhimi të jetë në Gjermani
Operatorja e “Media Shopit” – Nuk mundet të takohemi bashkë sepse unë flas nga zyra qendrore, nuk bëj takime me klientët.
Fiksi – Eshtë prodhim turk
Operatorja e “Media Shopit” – Po sepse është fuqia punëtore që vjen nga Turqia
Fiksi – E moralshme është që takimi të jetë përballë se nuk jeni të fshehur besoi se jeni të liçensuar. Po të them më tako më shpjego
Operatorja e “Media Shopit” – Për atë pjesë jemi të liçensuar, nëse do mundet ta sjellë, jemi edhe me nipt e me të gjitha, por meqë më the ti nuk ta sjellë.
Bisedë tjetër pas disa orësh me “ Media Shop”
Operatorja e “MediaShopit” – Çfarë produkti keni marrë?
Fiksi – Ne kemi porositur televizor Sony me të gjitha parametrat e fundit, ndërsa ju keni sjellë një produkt që nuk është as Sony dhe as prodhim Gjerman sikurse ne e kemi porositur. Keni dy javë që keni marrë ankesë nga ana jonë dhe nuk po e zgjidhni.
Denoncuesi – Tani si I bëhet ka ndërrim produkti të më sillni produktin sipas parametrave që kam bërë pagesën.
Operatorja e “Media Shopit” –Zoti V.. unë do flas me menaxheren në orën gjashtë dhe do ju telefonoi përsëri.
Denoncuesi – Mirë, është e njëjta histori more vajzë kam marrë edhe herë të tjera dhe të njëjtën gjë.
Operatorja e “Media Shopit” – Të kuptoj shumë mirë, po pa folur me menaxheren nuk ju jap dot një përgjigje, sinqerisht ta them
Denoncuesi – Po adresë, çfarë adrese keni që ta di?
Operatorja e “Media Shopit” –Sinqerisht po ta them do flas me menaxheren dhe do ju telefonoi ajo vetë që të flisni me menaxheren.
Denoncuesi – Si e ka emrin menaxherja?
Operatorja e “Media Shopit” – Çfarë? Menaxherja e ka emrin Ariola.
Denoncuesi – Mundet ta kontaktoi Ariolen të flas nga afër?
Operatorja e “Media Shopit” –Po unë do ta kaloj në orën gjashtë në telefon flisni vetë me atë personalisht.
Denoncuesi – Unë do pres në orën gjashtë
Operatorja e “Media Shopit” – Në rregull, mirupafshim, faleminderit!
Denoncuesi – Mirupafshim!
Top Channel