NBA, Boston mposht Toronton; Gasol, në historinë e Grizzlies

17/11/2018 09:28

Kyrie Irving shënoi 23 nga 43 pikët e tij vetëm gjatë periodës së katërt dhe kohës shtesë, mbrëmjen e së premtes, për t’i dhënë fitoren 123-116 Boston Celtics përballë kryesuesve të Konferencës së Lindjes në NBA, Toronto Raptors.

Veç pikëve, performancës së tij i shtohen edhe 11 asiste, sikurse edhe 21 pikët e Jayson Tatum dhe 7 topat në tabelë, duke përmbysur kështu një disavantazh prej 8 pikësh në periodën e katërt të sfidës.

Në anën tjetër, Kawhi Leonard shënoi 31 pikë dhe kapi 15 topa në tabelë për Raptors, me kanadezët që shënojnë kështu humbjen e tretë radhazi, edhe pse e nisën sezonin me 12 fitore në 13 përballjet e para.

Në Philadelphia, ndërkohë, Jimmy Butler shënoi 28 pikë në debutimin e tij në “shtëpi” për “76ers”, duke udhëhequr ekipin drejt fitores 113-107 kundër Utah Jazz. Butler u “rrëmbye” gjatë së hënës nga ekipi i Minnesota Timberëolves dhe u prit me duartrokitje nga fansat e Philadephias. Edhe pse në periodën e katërt, dy skuadrat këmbyen plot 6 herë kryesimin ndaj njëra-tjetrës, në fund triumfuan vendasit.

Butler, sfida e parë e të cilit u shënua në humbjen e “Sixers” ndaj Orlandos të mërkurën, kontribuoi gjithashtu me 7 asiste, 3 topa në tabelë dhe dy “vjedhje”.

Milwaukee Bucks “ndezi motorët” në pjesën e dytë të sfidës për të fituar 123-104 ndaj Chicago Bulls. Eric Bledsoeshënoi 17 nga 25 pikët e tij në dy periodat e fundit, ndërsa Giannis Antetokounmpo dhe Khris Middleton regjistruan nga 23 pikë secili për Bucks, ekip për të cilin ishin plot 6 basketbollistë që përfunduan me statistika dyshifrore në fund.

Në New Orlens, Anthony Davis arriti të shënonte 43 pikë dhe të kapte 17 topa në tabelë, teksa “Pelicans” erdhën nga disavantazhi prej 11 pikësh për të mposhtur New York Knicks me rezultatin 129-124. Julius Randle shënoi 19 pikë e kapi 11 topa në tabelë për “Pelicans”.

Në fund, nata e mbrëmshme ishte një natë rekordesh për spanjollin Marc Gasol te Memphis, që pas fitores 112-104 ndaj Sacramento Kings, tejkaloi rekordin e Zach Randolph për “Grizzlies” me 5.612 topa në tabelë. Gasol vendosi rekordin në historinë e kësaj skuadre kur kapi topin e 15 nga tabela, kur kishin mbetur edhe 1:12 për t’u luajtur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA