Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se Qeveria mund të bjerë, por jo për shkak se ka marrë një vendim prej të cilit siç tha ai “është hidhëruar Lista Serbe”.
Pas mbledhjes së kabinetit qeveritar Haradinaj u ka thënë gazetarëve se nuk sheh ndonjë mundësi për zgjedhje të jashtëzakonshme, meqë siç tha ai, ka çështje të rëndësishme në të cilat po punohet siç janë anëtarësimi në Interpol dhe liberalizimi i vizave. E për këtë të fundit, kryeministri i Kosovës tha se procesi është politizuar dhe dramatizuar kohët e fundit kur edhe është afruar vendimmarrja. Haradinaj tha se nuk është në agjendë tema për rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Ai edhe një herë ka përsëritur se ideja e korrigjimit të kufijve është e vdekur. Haradinaj tha se stabiliteti dhe ruajtja e të arriturave është interes i të gjithëve, edhe bashkësisë ndërkombëtare, që siç tha Haradinaj disa prej tyre e kanë thënë hapur se janë kundër ideve të tilla, për ndryshim, shkëmbim e korrigjim të kufijve.
Top Channel