Mijëra video të grave në Oktoberfest në Mynih përfundojnë në internet, rritet shqetësimi për filmimet e fshehta

02/10/2026 21:26

Dhjetëra mijëra video të grave që marrin pjesë në Oktoberfest, veçanërisht në atraksionin ‘Teufelsrad’, janë shpërndarë në platformat sociale si YouTube, TikTok dhe Facebook.

Dhjetëra mijëra video të grave që marrin pjesë në Oktoberfest, veçanërisht në atraksionin ‘Teufelsrad’, janë shpërndarë në platformat sociale si YouTube, TikTok dhe Facebook.

Një investigim i transmetuesit gjerman BR ka zbuluar se disa prej këtyre regjistrimeve përdoren për të grumbulluar miliona shikime dhe për të gjeneruar të ardhura.

Në shumë prej videove shfaqen gra të reja të veshura me ‘Dirndl’, ndërsa kamerat fokusohen veçanërisht në momentet kur ato humbasin ekuilibrin në rrotën që sillet dhe veshjet e tyre zhvendosen. Si pasojë, në disa raste shihen edhe pjesë të trupit dhe të brendshmet e tyre.

Sipas investigimit, një burrë nga Bavaria dyshohet se ka realizuar vetë një pjesë të këtyre filmimeve dhe ka qenë i lidhur me më shumë se një duzinë llogarish në rrjetet sociale. Disa prej videove të tij, të cilat tashmë janë fshirë, kishin arritur së bashku qindra miliona shikime.

Një prej grave të shfaqura në këto video ka rrëfyer se publikimi i pamjeve i ka shkaktuar „neveri, turp dhe zemërim. Një video ku ajo shfaqej ishte parë të paktën 74 milionë herë.

Investigimi identifikoi gjithashtu një grua nga Oberbavaria, e cila dyshohet se kishte prodhuar në mënyrë sistematike video të tilla. Sipas deklaratave të saj, ajo kishte filmuar më shumë se 600 video brenda 18 ditësh. Kanali i saj më i suksesshëm në YouTube kishte mbi 160 mijë abonentë.

Në disa raste, materialet e papublikuara ofroheshin për shitje për qindra euro. Gruaja pretendoi gjithashtu se kishte fituar 9 mijë euro brenda një nate nga një video e vetme.

Sipas hulumtimit të BR, aktiviteti nuk kufizohet vetëm në Gjermani. Në Ukrainë është identifikuar një komunitet me mijëra anëtarë, ku besohet se është kuptuar potenciali i këtyre videove për të rritur shikueshmërinë dhe për të gjeneruar të ardhura.

Disa kanale të lidhura me këtë komunitet përdornin edhe fotografi pornografike si imazhe paraprake për videot. Në një treg online ukrainas u ofruan për shitje dhjetëra llogari, ndërsa në një grup në Telegram shiteshin video me vetëm gra për rreth gjashtë euro për minutë.

Pas pyetjeve të BR, YouTube, Meta dhe TikTok deklaruan se kishin hequr video dhe llogari të lidhura me këto materiale.

Operatorët e ‘Teufelsrad’ deklarojnë se që prej vitit 2024 kanë marrë masa kundër të ashtuquajturit ‘upskirting’, pra filmimit të fshehtë nën veshjet e personave. Në zonë janë vendosur edhe tabela që paralajmërojnë për pasojat ligjore dhe, në rast dyshimi, personeli mund të njoftojë policinë.

Megjithatë, gazetarët e BR-së vëzhguan persona që vazhdonin të filmonin për periudha të gjata me telefona dhe kamera GoPro, pa u ndaluar nga personeli. Një person transmetoi për orë të tëra drejtpërdrejt në TikTok, pavarësisht ndalimit të transmetimeve live në të gjithë festivalin, duke publikuar gjatë transmetimit edhe pamje të fëmijëve.

Drejtuesi i Oktoberfestit, Christian Scharpf, tha se në këtë debat duhet të ketë masë dhe gjykim të arsyeshëm. Sipas tij, kur përmbajtje të tilla i poshtërojnë ose i diskriminojnë njerëzit, çështja duhet trajtuar seriozisht. Ai njoftoi gjithashtu se do të zhvillohen biseda të tjera me zyrën përgjegjëse për barazinë gjinore.

Top Channel