Putin takohet me Xi Jinping në Kinë, dakordësi për një rend të ri botëror shumëpol

18/11/2026 08:15

Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij kinez Xi Jinping zhvilluan një takim dyorësh në qytetin e Shenzhenit, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), ku në fokus ishte forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe bashkëpunimi në arenën ndërkombëtare.

Gjatë bisedimeve, Putin deklaroi se Moska dhe Pekini ndajnë të njëjtin vizion për krijimin e një rendi botëror shumëpolar dhe më të drejtë. Sipas tij, të dyja vendet kanë një qasje të përbashkët për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin në rajonin Azi-Paqësor.

Kreu i Kremlinit vlerësoi marrëdhëniet mes dy shteteve, duke i cilësuar ato si të qëndrueshme dhe pozitive, veçanërisht në drejtim të politikës së jashtme. Ai theksoi se bashkëpunimi mes Moskës dhe Pekinit po zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme në çështjet ndërkombëtare.

Nga ana e tij, Xi Jinping kërkoi që të dyja palët të ndërmarrin hapa konkretë për zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat. Presidenti kinez nënvizoi gjithashtu rëndësinë e promovimit të një sistemi ndërkombëtar shumëpolar dhe demokratizimit të marrëdhënieve mes shteteve.

Rritje e bashkëpunimit ekonomik dhe turizmit

Një pjesë e diskutimeve iu kushtua edhe marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare. Putin bëri thirrje për zgjerimin e shkëmbimeve mes dy vendeve, duke veçuar rritjen me 43% të flukseve turistike dypalëshe, të ndihmuara edhe nga vendosja e regjimit të udhëtimit pa viza.

Presidenti rus e cilësoi Shenzhenin, qytetin pritës të samitit të APEC-ut më 18 dhe 19 nëntor, si një simbol të zhvillimit ekonomik të Kinës dhe një shembull të transformimit të vendit.

Takimi i zhvilluar sot është i pesti mes Putinit dhe Xi Jinping që prej fillimit të vitit, duke dëshmuar intensitetin e kontakteve politike dhe ekonomike mes dy vendeve.

Bisedimet u zhvilluan edhe në format të zgjeruar, me pjesëmarrjen e një delegacioni të nivelit të lartë nga të dyja palët. Në krah të Putinit ishin zëvendëskryeministrat Tatyana Golikova dhe Dmitry Chernyshenko, ministri i Financave Anton Siluanov, ministri i Jashtëm Sergei Lavrov, ministri i Mbrojtjes Andrei Belousov, si dhe disa ministra e këshilltarë të tjerë të Kremlinit. Mes tyre ishin edhe Yuri Ushakov dhe zëdhënësi Dmitry Peskov.

Në pritje të takimit trepalësh me Trump

Takimi mes Putinit dhe Xi Jinping i paraprin një tjetër zhvillimi të rëndësishëm diplomatik. Për të enjten, më 19 nëntor, është planifikuar një samit trepalësh mes presidentit rus, liderit kinez dhe presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas njoftimeve të Kremlinit, Shtëpisë së Bardhë dhe Ministrisë së Jashtme kineze, takimi është konfirmuar nga të treja palët.

Trump ka bërë të ditur se në tryezën e diskutimeve pritet të jenë çështje të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë, situatën në Iran, çarmatimin bërthamor, si dhe marrëdhëniet ekonomike e tregtare.

Ky do të ishte takimi i parë trepalësh mes liderëve të Rusisë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, në një moment kur marrëdhëniet mes fuqive të mëdha dhe zhvillimet gjeopolitike janë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Top Channel