Mbrëmjen e kësaj të enjteje, në Bruksel do të vijojnë bisedimet Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Ky do të jetë takimi i katërt i fazës finale për arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve.
Ndërkohë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka quajtur më herët takimin “të vështirë” dhe thotë se, ai do të dialogonte me më shumë dëshirë me një djall, sesa me homologun serb.
“Pres që të jetë një takim i vështirë, i rëndë, sepse homolugu im nga Serbia është një bashkëbisedues i vështirë, i komplikuar, e në të njëjtën kohë edhe i ngarkuar. Mund të them se do të isha ulur me dëshirën më të madhe me një dreq në tavolinë për të biseduar, sesa me Aleksandar Vuçiçin, sepse ai po punon me tërë potencialin e tij, tërë arsenalin shtetëror të Serbisë, për shpërbërjen e e Kosovës si shtet, por edhe dëmtimin e institucioneve të Kosovës”, tha Thaçi.
Thaçi: Më mirë dialogoja me një dreq, sesa me Aleksander Vuçiçin
Sidoqoftë, Thaçi pret arritjen e një marrëveshjeje. Sipas tij, finalizimi i marrëveshjes do të përmbyllet nga i gjithë spektri politik.
Edhe vet Vuçiç nuk duket fort i kënaqur të bisedojë me Thaçin. Një ditë para takimit, edhe ai u shpreh me rezerva.
“Nuk më ofron rehati dhe nuk më pëlqen të bisedoj me Thaçin, por më mirë të bisedojmë 100 vite sesa të luftojmë një ditë. Kjo është puna ime. Paqja është e rëndësishme. Gjithçka tjetër nuk është për krahasim”, tha Vuçiç.
Sipas tij, pozicioni i Serbisë është i vështirë. Ndërkohë, shefja e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini tha se pret nga dy udhëheqësit që të konfirmojnë gatishmërinë e tyre për të intensifikuar punën drejt arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve.
Top Channel