Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka prezantuar buxhetin e vitit 2019 para banorëve të zonës së Kasharit.

Në këtë zonë ka nisur projekti për ndërtimin e bulevardit “Migjeni”, që pritet të transformojë të gjithë zonën. Banorët e Kasharit do të përfitojnë edhe nga projekti i Unazës së Madhe dhe rrethrrotullimi “Shqiponja”, punimet e të cilit nisin së shpejti.

Veliaj u kërkoi banorëve që të votojnë Partinë Socialiste në mënyrë që në Këshill Bashkiak të ketë shumicën: “Që t’i marrim më shpejt vendimet dhe të kemi mundësi të investojmë me ritëm më të lartë, na duhet që të kemi votat për PS-në në Këshillin Bashkiak. Një nga arsyet pse sot kemi një qeveri efiçente është sepse Edi Rama ka 74 vota. Një shumicë absolute që e bën të ecë pa asnjë ndalesë, që nuk e shantazhon njeri, që s’ka nevojë të bëjë pazar me njeri, që s’ka nevojë t’i bëjë qefin dikujt, pasi e vetmja fuqi që njohim është ajo e qytetarëve që na kanë dhënë votën. Kjo është arsyeja pse na duhet një shumicë e tillë edhe në Këshillin Bashkiak”.

Veliaj u kërkoi banorëve që të përfitojnë nga amnistia dhe të deklarojnë vendbanimin: “Na duhet të reflektojmë faktin se në Kashar nuk banojnë 8 mijë, por 70-80 mijë njerëz. Ndaj, do e vlerësoja shumë ndihmën tuaj këtu. Falenderoj qeverinë që e hoqi pengesën e fundit, gjobën, dhe tani nuk na pengon asgjë tjetër për t’u regjistruar. Na ndihmon jo vetëm për buxhetin e bashkisë, na ndihmon edhe kur kërkojmë subvencionimin nga qeveria”.

Në dëgjesën me banorët e Kasharit, Veliaj përmendi disa investime që janë bërë në këtë zonë si dhe projektet për zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm nëpërmjet Berzh-it.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA