Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji deklaroi pasditen e së shtunës se “Prokuroria zbatoi skenarin kriminal të regjisorit Edi Rama për të nxjerrë të pafajshëm vëllanë e Ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, i akuzuar për trafik droge”.

“Askush nuk u habit sot nga kërkesa e prokurorisë që, nën urdhrat e regjisorit Edi Rama, zbatoi skenarin kriminal të urdhëruar prej tij 5 muaj më parë për të shpëtuar vëllanë e Ministrit të Brendshëm nga akuza për trafik droge. Që ditën e parë, Edi Rama foli për audio përgjim të sajuar. Dhe prokuroria kështu vendosi; Që ditën e parë, Edi Rama shpalli se në vend të Agron Xhafës ishte një aktor. Dhe prokuroria kështu vendosi; Që ditën e parë Edi Rama shpalli të pafajshëm Agron Xhafën nga akuza për trafik droge. Dhe prokuroria kështu vendosi. Është e provuar se sa herë kapet në krim, Edi Rama arreston denoncuesit dhe jo kriminelët, duke përdorur çdo shantazh në favor të skenarit të tij kriminal”, deklaroi Salianji.

“Deklarimi i pafajshëm i vëllait të Ministrit të Brendshëm ka qenë qëllimi kryesor i hetimeve të prokurorisë, i paracaktuar që ditën e publikimit të skandalit nga Partia Demokratike. Me urdhër të Edi Ramës, hetimi u drejtua personalisht nga vetë Fatmir Xhafaj, nën kontrollin e të cilit janë si prokurorja e përgjithshme, ashtu edhe kryeprokurorja e krimeve të rënda. Është fakt se Fatmir Xhafaj lejoi nisjen e hetimeve vetëm pasi siguroi largimin e të vëllait trafikant droge nga Shqipëria; Është fakt se Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama nuk bënë kurrë publik rezultatin e një ekspertize private, që provonte, sipas tyre, se Agron Xhafaj nuk ishte përfshirë në trafik droge; Është fakt se laboratori shtetëror i Ministrisë së Brendshme italiane, i shpallur nga vetë qeveria si më i specializuari në Europë për të tilla ekspertiza, refuzoi të bëhej pjesë e skenarit kriminal të qeverisë së Edi Ramës”, shtoi deputeti i PD-së.

“Hetimi provoi se prokuroria, në vend që t’i shërbejë zbulimit të së vërtetës, mbron krimin e organizuar, të lidhur direkt me qeverinë. Edi Rama mund të paguajë, shantazhojë, blejë prokurorë e dëshmitarë, mund të sajojë përkohësisht prova dhe të shpikë aktorë, por nuk do t’ia dalë të mbulojë të vërtetën e përfshirjes së Agron Xhafës në trafikun e drogës”, theksoi Salianji.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA