Banka Botërore përmirëson parashikimin për ekonominë shqiptare nga një rritje në 3.6 për qind, në 4 për qind. Sipas përfaqësues së Bankës Botërore arsyeja e rritjes është sektori i energjisë. Ajo quan sukses edhe Eurobondin.

Banka Botërore ngriti parashikimin për rritjen e ekonomisë shqiptare gjatë këtij viti nga 3.6 për qind në 4 për qind. Kryeekonomistja e bankës për Shqipërinë tha se në gjysmën e parë të vitit ekonomia është rritur me shpejt nga sa pritej duke shpjeguar edhe arsyet.

“Parashikimi është rritur me 0.4 për qind dhe arsyeja për këtë është energjia, e cila ka dhënë gati gjysmën e kontributit të rritjes ekonomike në gjashtëmujorin e parë”, u shpreh përfaqësuesja e BB.

Banka tha se zgjerimi i Prodhimit kombëtar dhe ulja e borxhit publik kanë përmirësuar besimin në ekonominë shqiptare, jo vetëm brenda vendit, por edhe në tregjet e huaja

“Pjesëmarrja në tregjet e huaja e ekspozon vendin ndaj disiplinës së tregut dhe fakti që Shqipëria e emetoi Eurobondin me një normë më të ulët se sa vitet e mëparshme tregon se tregjet kanë shfaqur një konfidencë në reformat dhe ecurinë e ekonomisë shqiptare”, u shpreh përfaqësuesja e BB.

Por shefja e zyrës së bankës në Tiranë, Maryam Salim tha se ekonomia penalizohet ende nga korrupsioni, që sipas saj është i përhapur.

“Duhet të reduktohet korrupsioni sepse është endemik. Ju shikoni çështje korrupsioni që ngrihen ose shqetësime për korrupsion në shumë vrojtime. Dhe kjo është një pengesë për investimet e sektorit privat”, u shpreh ajo.

Banka i rekomandoi qeverisë të ulë më tej borxhin publik dhe të kufizojë koncesionet, veçanërisht ato të pakërkuara, të cilat sipas saj kanë rritur risqet për ekonominë dhe financat publike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA