Marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-Greqi dhe pakti politik mes dy vendeve ka qenë temë dite në emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, ku i ftuar për këtë të martë ka qenë kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi.
Zoti Idrizi ka komentuar fillimisht lajmin që po qarkullon së fundi në media, sipas të cilit ministri i Jashtëm grek, Kotzias tha nga Norvegjia se jemi në prag marrëveshjeje me Shqipërinë mbi një plan 10-pikësh, ku më kryesorja sipas tij është “Marrëveshja e Detit” për të cilën grekët duken mjaft entuziastë, ndërsa çështja “çame” duket të jetë lënë në hije ndoshta edhe me bekimin e qeverisë shqiptare.
“Dua të sjell në vëmendje edhe një deklaratë të kryeministrit Tsipras, i cili tha se vërtet jemi në prag marrëveshje me Shqipërinë, por çështja çame nuk ekziston”, tha Idrizi, që i ka quajtur të tilla reagime tipike arrogante të një udhëheqësi ballkanas.
“Që Greqia të njohë gjenocidin karshi shqiptarëve të Çamërisë, vrasjet, persekutimet, marrjen e jetës apo të pronës, apo diskriminimin që vijon edhe sot e kësaj dite mbi shqiptarët e Çamërisë, sigurisht që duhet të jesh jo më një shtet tipik ballkanas, por të kërkohet falje publike”, tha më tej kreu i PDIU-së.
Dikur, Idrizi vet ka folur me superlativa për qëndrimin e kryeministrit Rama në raport me çështjen “çame”, apo marrëdhëniet reciproke ndërshtetërore me Greqinë. Sot, ai ndihet i keqardhur dhe i shqetësuar për shkak se deklaratat e Tsipras, Kotzias apo Kammenos vijnë nga qëndrimi i palës shqiptare, që fatkeqësisht po përmbush agjendën e shtetit grek.
“Tirana jo vetëm që është inferiore në këtë raport diplomatik, por po plotëson agjendën greke që nga 6 pikat e Mitsotakis. Sot nuk flasim për një marrëveshje mbi kërkesat e palës shqiptare, si çështja çame, heqja e ligjit të luftës, demarkacioni i kufijve tokësorë dhe nga ana tjetër kërkesat e palës greke, por dua të kujtoj se sot pjesa më e madhe e agjendës së tyre është kryer”, deklaroi Idrizi, për të specifikuar:
“Përmendim çështjen e toponimeve, pakt i arritur ky mes Shqipërisë e Greqisë, që po jep efekte negative në radhë të parë mbi shqiptarët e Çamërisë, sepse është e vetmja marrëveshje në botë që me ndryshimin e toponimeve në Çamëri të palës greke, detyrojmë palën shqiptare ta ndryshojë në pasaportën tonë. Sot po implementohet marrëveshja për varrezat e ushtarëve grekë të rënë si pushtues në Shqipëri, por nuk e di ku ka shkuar kërkesa e Shoqatës ‘Çamëria’ për ngritjen e varrezave për çamët e vrarë në trojet dhe shtëpitë e tyre. Sa i përket ligjit për minoritetet, është hera e parë që Shqipëria del me 9 minoritete, kur Kosova ka vetëm 6, dhe sot është hequr koncepti i zonave minoritare, i njohur që në vitin 1937, që në Shqipëri ishin Finiqi dhe Dropulli. E vetmja gjë që ka mbetur nga pala greke është marrëveshja për detin”.
Top Channel