Juan Martin Del Potro kthehet pas 9 vitesh të luajë në finalen e “US Open”. Argjentinasi kaloi në gjysmëfinale Rafael Nadalin, me spanjollin që nuk arriti të mbyllë ndeshjen për shkak të disa problemeve në gjurin e djathtë, që iu shfaqën pas ndeshjes maratonë me Dominic Thiem.

Del Potro dhe Nadal luajtën vetëm dy setet e parë të kësaj sfide, të cilat u fituan nga argjentinasi 7-6 dhe 6-2, pas 2 orësh e 1 minute lojë.

Në finalen e këtij turneu, që do të kërkojë ta fitojë për herë të dytë në karrierë, Del Potro do të ketë përballë Novak Djokoviç. Ky i fundit eliminoi në gjysmëfinale Kei Nishikorin, duke e mundur me rezultatin 3-0. Ish-numri 1 i botës e dominoi tenistin japonez, duke mos i dhënë mundësi t’i kundërpërgjigjej në lojë, teksa i fitoi setet e takimit 6-3, 6-4 dhe 6-2, në 2 orë e 22 minuta.

Për Djokoviç, ajo e së dielës do të jetë finalje e 8 në “US Open” dhe e 23-ta në turnetë “Grand Slam” në karrierë. Tenisti serb do të kërkojë që në “Flushing Meadows” të fitojë titullin e tij të 14 në turnetë madhorë, për të barazuar legjendën amerikane të tenisit, Pete Sampras.

Sa u përket përballjeve të drejtpërdrejta me Del Potron, bilanci është dukshëm në favor të Djokoviç, që ka 14 fitore kundrejt 4 të argjentinasit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA