Lufta tregtare e Turqisë me Shtetet e Bashkuara, marrëdhëniet e saj të tensionuara me Bashkimin Europian dhe rënia drastike e vlerës së lirës i ka shqetësuar tregjet për rrezikun e madh të kontaminimit edhe gjetkë.

Europa dhe bankat e saj e kanë sidoqoftë fuqinë t’i kundërpërgjigjen një efekti domino, por ekonomitë e brishta të Ballkanit kanë çdo arsye të jenë nervoze.

Ekspertët e cituar nga “BIRN” argumentojnë se, ndërsa eksportet turke në rajon mund të rriten, të nxitura nga rënia e çmimeve dhe rrudhja e tregjeve për mallrat turke diku tjetër, trazirat financiare të vendit mund të frenojnë investimet e Turqisë, si ato shtetërore, ashtu edhe ato private, në një rajon të cilin Ankaraja është përpjekur shumë ta kultivojë sipas shijes së saj.

Në fund të vitit të kaluar, stoku i investimeve turke në Shqipëri ishte sipas Bankës së Shqipërisë 520 milionë euro, ose sa 8 për qind e totalit të investimeve të huaja. Kryesisht, investimet e kompanive turke në Shqipëri janë fokusuar në fushën e prodhimit të metaleve, sektorin bankar, arsim, por edhe në energjetikë.

Monedha kombëtare e Turqisë ka humbur rreth 40 për qind të vlerës këtë vit, një rënie që i atribuohet shqetësimit të investitorëve rreth stilit gjithnjë e më autokratik të presidentit Recep Tayyip Erdogan, emërimit të dhëndrit të tij si ministër i Ekonomisë dhe pavarësisë në rënie të Bankës Qendrore atje.

Lira turke u dobësua sërish të martën përballë dollarit amerikan, pas paralajmërimit të ministrit të Financave, Berat Albajrak, se sanksionet tregtare të Shteteve të Bashkuara kundër Ankarasë mund të destabilizojnë Lindjen e Mesme.

Mosmarrëveshjet e Ankarasë me Uashingtonin rreth një pastori amerikan, të ndaluar në Turqi nën akuzat për terrorizëm, i kanë përshpejtuar humbjet e lirës, ndërsa në një aspekt më të gjerë, investitorët janë të shqetësuar për kursin e politikës monetare nën drejtimin e Erdoganit, që e cilëson veten “armik të normave të interesit”.

Top Channel