Mosmarrëveshja e gjatë midis Polonisë dhe Bashkimit Europian mbi vlerat demokratike u përshkallëzua të mërkurën kur hyri në fuqi legjislacioni i ri që kërkon që rreth një e treta e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë të dalin në pension.
BE akuzon partinë në qeveri të Polonisë për përpjekjen për të kontrolluar gjyqësorin dhe për të përmbysur standardet demokratike.
Varshava thotë se ndryshimet janë të nevojshme për të liruar gjyqësorin nga era e mendimit dhe praktikave të kohës komuniste.
Presidentja e Gjykatës së Lartë, Malgorzata Gersdorf, sfidoi ligjin e ri të mërkurën në mëngjes duke shkuar në zyrën e saj si zakonisht, për t’u duartrokitur nga qindra mbështetës që këndonin himnin kombëtar polak.
“Prania ime këtu nuk ka të bëjë me politikën. Unë jam këtu për të mbrojtur sundimin e ligjit,” u tha ajo gazetarëve.
Gersdorf është 65 vjeç, mosha në të cilën gjykatësve tani u kërkohet të dalin në pension, por një ekspert i së drejtës kushtetuese tha se ajo i plotëson kushtet për të mbetur në detyrë deri sa të përfundojë mandati i saj gjashtë vjeçar.
Gersdorf u bë presidente e Gjykatës së Lartë në vitin 2014 dhe mandati i saj zgjat deri në vitin 2020.
Top Channel