Kjo e martë është dita e verdiktit për Milanin. Përpara syrit të rreptë të gjykatësve të UEFA-s, 5 të tillë me kombësi të ndryshme, administratori i deleguar i Milanit, Fassone do të prezantojë gjithçka me natyrë mbrojtëse përpara ndëshkimit të paevitueshëm.
Janë plot 25 faqe të dosjes së shkruar për të provuar evitimin e më të keqes së mundshme në listën e sanksioneve: përjashtimin nga kupat europiane, pas shkeljes së rregullave të përcaktuara nga “Fair Play” financiar.
Delegacioni kuqezi, i nisur që në orët e para të mëngjesit për në Gjenevë, mbërriti në orën 8:38 në pallatin e drejtësisë së UEFA-s, në “Route de Geneve 46”.
Grupi kryesohet nga administratori Fassone dhe avokati Roberto Cappelli, përgjegjës për çështjet ligjore, i ngarkuar enkas për argumentimin e tezave mbrojtëse të kuqezinjve.
Dëgjesa ka nisur në orën 9 dhe fillimisht pritet të diskutohet akuza, ose argumentet e paraqitura nga UEFA, ndërsa në një fazë të dytë do të diskutohen argumentet mbrojtëse, për t’i lënë më pas vend debateve dhe ndoshta edhe përplasjeve me argumenta. Vendimi, gjithsesi pritet në dy apo 3 ditët e ardhshme.
Top Channel