Nuk është një Itali për ‘pleqtë’/ 37 futbollistët e rinj që to të kthejnë Të Kaltrit në maja, por vetëm nëse klubet…

30/09/2026 12:40

‘Kayode? Nga doli ky Kayode?’, mund të ketë pyetur veten ndonjë tifoz italian, teksa shijonte depërtimet e tij të pandalshme në krahun e djathtë, golin dhe rivëniet anësore të kryera si të ishte duke hedhur shtizën.

Kushdo që është emocionuar nga Itali-Portugali e 17 korrikut 2023, finalja e Evropianit U19 e fituar nga Të Kaltrit e Bollinit, sot zëvendësi i Mancinit, nuk mund ta ketë harruar atë djalosh të vendosur në krahun e djathtë të skemës 4-3-3: një “furtunë”, autor edhe i golit të fitores. Në atë kohë shkruhej: “Një mbrojtës i përshtatur si anësor”. Ishte e qartë se nuk bëhej fjalë për një lojtar të zakonshëm. Merita i takon Mancinit që i dha mundësinë të luante. I guximshëm? Për Italinë po, sepse vetë italianët e shohin si një vend ku të rinjtë e vërtetë mungojnë dhe një 24-vjeçar si Ruggeri konsiderohet ende “i ri” në imagjinatën kolektive. Jashtë Italisë, jo. Nëse dikush është i mirë, luan, edhe nëse është 17 vjeç, si Yamal në Evropianin 2024. Ai është një fenomen, ndërsa Italia nuk është e dëshpëruar. Ka një rezervuar të pasur lojtarësh të rinj që mund të ushqejnë Italinë e së ardhmes, me sytë nga Europiani dhe Botërori. Kayode, me golin e tij, është vetëm ai që po del në plan të parë.

Portierët-Nga Zoff te Buffon, duke kaluar te Zenga, Peruzzi, Pagliuca e Marchegiani, e deri te Donnarumma, ish-portieri titullar që debutoi si i mitur, Italia nuk ka pasur kurrë probleme në këtë repart. Carnesecchi është vetëm 26 vjeç, por pas tij vijnë Pessina (18), i përfshirë në listë, surprizuesi Palmisani (22) i Frosinones, Daffara (21) dhe, për të shkuar edhe më tej, Mascardi (20), Fortin (23)… Nuk ka problem.

Mbrojtësit e krahut-Të kapluar nga kjo mirëqenie e papritur, Italia mund të siguronte krahun e djathtë për një dekadë të tërë: Kayode, 22 vjeç, do të ishte zgjedhja e dytë pas Palestrës (21), aktualisht jashtë fushave për shkak të dëmtimit. Pas tyre po troket edhe zbulimi i fundit, Lulli (19), ndërsa është edhe Favasuli (22). Të gjithë mbrojtës krahu, me prirje të forta sulmuese. Konkurrenca është e pamëshirshme dhe ndonjëri prej tyre mund të përfundojë edhe më përpara, në repartin ofensiv. Në të majtë, alternativat janë më të pakta, por Calafiori (24) është tashmë një emër i nivelit botëror. Ruggeri (24) ka bërë shumë mirë te Atlético, ndërsa tani ka edhe Aston Villën në horizont. Dhe të mos harrojmë Udogien, ende vetëm 23 vjeç, si dhe Fortinin, që po vjen me 20 vitet e tij.

Qendërmbrojtësit- “Veterani” Scalvini është vetëm 22 vjeç. Mancini i dha debutimin që 18 vjeç dhe tani ai po rikthehet pas dëmtimit që e la jashtë për një kohë. Veteran vetëm në krahasim me talentet që po trokasin pas tij. Më i spikaturi është Leoni (19), i kërkuar nga Liverpooli, por aktualisht i dëmtuar. Mund të luajë në të dyja krahët dhe shihet si një element shumë i rëndësishëm. Po aq interesant është Ahanor (18), nën kontratë me Chelsea-n, që mund të luajë si qendërmbrojtës, por edhe në krahun e majtë. Mancini po ndjek nga afër edhe Palman (18), me dy pasaporta, por që duket se e ndien veten më shumë italian. Baldini ka në dispozicion Comuzzon (21), Chiarodian (21), Manen (21) dhe Reggianin (18). Mes të mëdhenjve është edhe Ghilardi (23). Në kërkim të Bonuccit dhe Chiellinit të rinj.

Mesfushorët e qendrës-Në rolin e mesfushorit të qendrës në një skemë me tre mesfushorë, duket se Italia ka probleme. Prandaj Romano merr një peshë të veçantë. Të mos harrojmë se është vetëm 20 vjeç dhe ka ende shumë hapësirë për t’u rritur. Madje, duhet ta bëjë shpejt. Dhe besohet se do ta bëjë. Nga U21-shi po ngjitet edhe Lipani (21). Për rolin e gjysmësulmuesit të krahut, dy emrat që duken si e ardhmja janë Doumbia (22) dhe Pisilli (22): i pari një mesfushor me fizik të fuqishëm, që sulmon hapësirat dhe futet rregullisht në zonë; i dyti një “Tardelli” modern, që mund të luajë edhe pas sulmuesit, në trekuart. Nga Ndour (22) te Faticanti (22), alternativat nuk mungojnë. Pritshmëritë janë të mëdha edhe për Liberalin, vetëm 19 vjeç, që po stërvitet nën drejtimin e Fabregasit. Një  nr.10 i pastër, që sot mund të përshtatet edhe si gjysmësulmues i krahut, me detyrën për të organizuar lojën dhe për ta nisur aksionin nga pas.

Sulmuesit e krahut-Lista e sulmuesve të krahut, është e pasur në numra. Ajo që mungon është lojtari që mban ekuilibrin, një Politano apo Callejón i dikurshëm. Pothuajse të gjithë janë të prirur për sulm, por shumica mund të luajnë në të dy krahët. Sebastiano Esposito (24) po piqet gjithnjë e më shumë, duke ndërthurur teknikën me disiplinën taktike. Trajneri e vlerëson shumë Zomën (22): në “Olimpico” u pa një futbollist krahu i atij lloji që të lë pas me shpejtësi dhe të çorienton me driblimet. Në listë është edhe Samuele Inacio, vetëm 18 vjeç dhe tashmë titullar te Borussia. Mund të luajë si anësor, por edhe si qendërsulmues, dhe për të thuhet se është më i forti i brezit të tij. Pastaj vijnë Vergara (23), me ato shpërthimet e tij paksa të çrregullta, Koleosho (22), që kërkon vazhdimisht të kalojë kundërshtarin në një kundër një dhe të nisë sprintin, si dhe milanisti Cisse (19), që e ka nuhatjen e golit. Dhe nuk duhen harruar as Fini, Cherubini e Cacciamani.

Pio Esposito, 21 vjeç, nuk gabon asnjë ndeshje me fanellën e kaltër. Ka shënuar tashmë 6 gola dhe di të luajë si qendërsulmues klasik në zonë, por edhe të lëvizë në hapësira. Me një sulmues më pranë dhe gjysmësulmuesit e krahut që futen në zonë, ai është pika ideale e referimit, siç u pa edhe në Bursa. Raimondo (22) po rritet dhe ka treguar se nuk i mungojnë aspak goditjet e bukura. Camardën është ngarkuar me shumë përgjegjësi, por ai është ende vetëm 18 vjeç. Tani është i dëmtuar, ndërsa Ekhator, 19 vjeç, mund të luajë si sulmues i parë, por edhe si sulmues i dytë.

Një skuadër-Shumë prej këtyre talenteve janë sot pjesë e Itali U21 për nevoja të kombëtares së madhe, me objektivin e kualifikimit në Europian dhe në Lojërat Olimpike, por brenda një viti, në rastin më të vonshëm, pritet t’i shohim me Mancinin. Është ndoshta e tepërt që të kalohet nga zhgënjimi i madh pas Belgjikës te euforia pas fitores në Turqi. Por një gjë është e pamohueshme: e ardhmja e kaltër duket premtuese. Problemi është diku tjetër. Nuk është hera e parë që flitet për një brez të pasur me talente. Vetëm se në Spanjë, për të marrë si shembull modelin e tyre, këta lojtarë janë pjesë e një projekti që nis në klube dhe vazhdon në kombëtare. Dhe mbi të gjitha, ata luajnë, kurse në Itali, kjo mbetet ende për t’u parë. Sepse talentet mund të jenë të shumtë, por tani duhet të bëhen skuadër.

Top Channel