U la në stol në ndeshjen me Norvegjinë, Ronaldo kërkon takim urgjent me drejtuesit e Federatës Portugeze
Presidenti dhe pronari i klubit bullgar të futbollit Botev Plovdiv, Iliyan Filipov, është qëlluar për vdekje në qytetin e Plovdivit.
Sipas policisë lokale, 53-vjeçari u vra në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, pranë banesës së tij. Policia mbërriti në vendngjarje pas raportimit për të shtëna me armë zjarri, por Filipov u gjet i pajetë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërsa deri tani nuk është bërë i ditur motivi i vrasjes dhe nuk ka të dyshuar të identifikuar.
Drejtori i policisë lokale deklaroi se, në këtë fazë të hetimit, nuk ka prova se Filipov kishte marrë kërcënime përpara atentatit.
Filipov ishte gjithashtu president dhe pronar i kompanisë së transportit PIMK. Vrasja e tij ka shkaktuar tronditje në Bullgari, ndërsa vendi ndodhet në një periudhë të tensionuar politike.
Botev Plovdiv reagoi përmes një deklarate në faqen zyrtare të klubit, duke shprehur dhimbjen për vdekjen e presidentit.
“Iliyan Filipov do të mbetet përgjithmonë pjesë e historisë së Botev Plovdiv”, thuhet në deklaratë.
Klubi vlerësoi gjithashtu kontributin e Filipov në shpëtimin e Botev Plovdiv në verën e vitit 2025 dhe angazhimin e tij për projektin e rindërtimit të stadiumit “Hristo Botev”, i cili synohet të jetë një nga impiantet sportive më moderne në Bullgari.
Hetimet për vrasjen vijojnë, ndërsa policia po punon për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e motivit të atentatit.
Top Channel