Punëtorët e Ndërmarrjes së Shërbimeve në Fier punojnë prej më shumë se dy vjetësh çdo të shtunë me orar zyrtar 8 me 4. Ata nuk paguhen për këtë ditë madje dalin nën presionin e shefave të cilët të shtunën e kanë pushim.
Fiks Fare ka evidentuar këtë problematikë. Një të shtunë shumë prej këtyre punëtorëve janë shprehur se ndihen të detyruar të dalin ndryshe rrezikojnë vendin e punës.
“Sëbashku me miqtë e mi kemi rreth dy vjet që dalim në punë të shtunave 8 me 4 dhe nuk paguhemi. Nuk e kemi ngritur zërin pasi mund të rrezikojmë punën. Jemi hallexhinj s’kemi ç’bëjmë” thotë një nga punëtorët.
Shumë të tjerë pohojnë të njëjtën situatë, kokë ulur këta kryefamiljarë në heshtje kanë pranuar të dalin edhe pse me kod pune ata duhet të ishin pushim.
Fiks Fare ju drejtua drejtorisë së shërbimeve për të parë nëse ashtu si punonjësit edhe drejtuesit ndodheshin në punë. Por u konstatua e kundërta ata ishin pushim në drejtori nuk kishte asnjë funksionar. Këtë problematikë fiks fare e ndoqi edhe në Bashkinë e Fierit.
Jashtë kamerave nënkryetarja e Bashkisë së Fierit tha se nuk ishte në dijeni të kësaj situata.
“Nuk jam në dijeni që dalin në punë punëtorët të shtunën. Megjithatë këtë do ta shpjegoj drejtori i shërbimeve zyrtarisht me shkresë”. Jashtë kamerave drejtori u shpreh se punëtorët punojnë të shtunave pasi kompensojnë orët gjatë javës.
Sipas tij punëtorët punojnë çdo ditë shtatë orë. Këtë përgjigje drejtori e dha edhe me shkresë zyrtare duke mos pranuar që punëtorët punojnë çdo ditë tetë orë.
Nëse do t’i referohemi kodit të punës Bashkia e fierit dhe konkretisht Drejtoria e Shërbimeve e ka shkelur atë në disa pika. Neni 8 ndalon punën e detyruar në të gjitha format e saj në rastin konkret ky nen është shkelur ashtu si dhe neni 83, i cili shprehet qartë se kohëzgjatja normale e javës së punës është jo më shumë se 40 orë.
Punëtorët punojnë plot 48 orë dhe paguhen vetëm për 40 orë.
Top Channel