Nisur nga pasojat e zjarreve, apo fatkeqësive natyrore në vend, forcat zjarrfikëse të Tiranës, policia dhe urgjencat mjekësore do t’i nënshtrohen një trajnimi aftësimi për t’iu përgjigjur në kohë dhe me efikasitet çdo rasti.
I pranishëm në një seancë të tillë, kryebashkiaku Erion Veliaj u ndal tek zjarri në fabriken e riciklimit të mbetjeve urbane duke bërë thirrje për nevojën e sigurimit me ligj të pronës.
“Siç u pa edhe këtë fundjavë me disa nga zjarret që patëm, kur në një javë ra zjarr në 2 fabrika të ndryshme, kuptojmë se e vetmja gjë që mund ta marrim seriozisht është jeta edhe prona. Mjafton që të shikosh makinat që janë këtu karakatinë, jam i sigurt që pavarësisht se janë aksidentuar, të gjithë kanë pasur siguracion makine. Ndërkohë, numri i njerëzve apo i bizneseve të siguruara është qesharak, krahasuar me numrin e hekurishteve qe kemi të siguruara”, deklaroi ai.
Veliaj shtoi se nevojitet edhe një kulturë qytetare për sigurimin e pronës së tyre për t’u bërë ballë të papriturave të ndryshme.
“Nuk mund të kemi një përqindje qesharake të njerëzve që sigurojnë pronën, shtëpinë, jetën, dhe një përqindje të lartë prej detyrimit të atyre që sigurojnë makinën”, vijoi kreu i Bashkisë së Tiranës.
Programi i trajnimit për emergjencat zhvillohet në mjediset e Akademisë së Sigurisë në Tiranë me ndihmën e një kompanie të njohur austriake dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe bashkinë e kryeqytetit.
Top Channel