Skenarët e luftës në Siri: Nga bombardimet simbolike, te përplasja SHBA-Rusi

13/04/2018 14:06

Edhe pse shpresat janë për të kundërtën, situata në Siri mund të shpërthejë në një luftë të re të madhe. Kërcënimet e Donald Trumpit në “Twitter” dhe paralajmërimet e Rusisë e kanë ngrirë për momentin konfliktin në nivel retorikash, por çfarë ndodh nëse “vija e kuqe” shkelet?

Ekspertët përvijojnë disa skenare.

I pari, sipas tyre i sheh Shtetet e Bashkuara të nisin një sulm me raketa në strukturat thuajse të braktisura ushtarake të Sirisë, diku në shkretëtirë. Edhe pse në këtë mënyrë do të djegë disa miliona dollarë, Uashingtoni në fund do të tregojë se bombardime pati. Moska, në këtë rast, me shumë gjasa nuk do të kundërpërgjigjej dhe konflikti sirian do të vazhdojë përgjatë linjave aktuale: forcat proqeveritare do të godasin xhepat e mbetur të rezistencës, ndërsa aleanca ruso-siriano-iraniane do të kontribuojë në vazhdimësi me përpjekje ushtarake dhe diplomatike për rivendosjen e integritetit territorial sirian.

Në skenarin e dytë, Shtetet e Bashkuara e zgjerojnë shkallën e sulmit dhe rritja e përmasave të ofensivës nënkupton gjithashtu shtimin e objekteve të shënjestruara. Ky sulm do të sillte humbje e dëme të mëdha në radhët e ushtrisë siriane, e mbase edhe infrastrukturës civile. Nëse Rusia nuk reagon, blloku i kryesuar nga Amerika mund të përfitojë nga rasti për të mësyrë trupat qeveritare edhe në luginën e Eufratit, si dhe në lindje e jug të vendit. Pas kësaj, Moska nuk do të qëndrojë më duarkryq, por do të reagojë me mësymje të sakta, duke u përpjekur për çdo rast të shmangë një përballje të plotë ushtarake. Fundi i luftës siriane mund të shtyhet me 5 vite të tjera.

Skenari i tretë parashikon shtrirjen e sulmeve amerikane, por edhe një përgjigje të kufizuar, megjithatë mjaft efikase të Kremlinit. Forcat ruse do të reagonin me rrëzimin e raketave “të zgjuara” të Trumpit, shënjestrimin e platformave raketahedhëse, e mbase edhe goditjen e disa njësive ushtarake të Amerikës në veri dhe në lindje të Sirisë. Uashingtoni mund ta përdorë konfrontimin e limituar për forcimin e trysnisë diplomatike mbi Moskën, e mbase edhe me një raund të ri sanksionesh.

Së fundi, mund të ndodhë që një sulm i gjerë i Shteteve të Bashkuara të nxisë një përshkallëzim të ndjeshëm të situatës mes dy fuqive botërore, gjë që do të përbënte fillimin e një lufte të re rajonale mes bllokut SHBA-Britani-Francë dhe aleancës mes Sirisë, Iranit dhe Rusisë, të mbështetur nga Hezbollahu.

FOTO GALERI
5/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA