UEFA ndryshon rregullat e futbollit. Preken Championsi dhe Europa League

27/03/2018 13:10

Rregullorja e futbollit ndryshon zyrtarisht. Lajmi bëhet i ditur nga UEFA, përmes një komunikate në faqen zyrtare të qeverisë së futbollit europian.

Ndryshimet në rregullore, duke nisur nga sezoni 2018-2019, nuk janë të pakta, e prekin sidomos kompeticionet për të cilat UEFA është organizatore, të cilat prej verës së këtij viti do të hyjnë në një cikël 3-vjeçar. Ndryshimet do të aplikohen si në Champions League, Europa League, por edhe në Superkupën e Europës.

Por çfarë shpjegohet në komunikatën e UEFA-s? Cilat janë konkretisht ndryshimet?

Së pari, duke nisur nga sezoni 2018-2019, në ndeshjet me eliminim të drejtpërdrejtë mund të bëhen jo më 3, por 4 zëvendësime, me këtë të fundit ekskluzivisht në kohët shtesë. Tre ekzistueset do të bëhen si gjithmonë, pa u ndikuar nga ky ndryshim.

Së dyti, për finalet e Championsit, Europa League dhe Superkupën e Europës (një ndeshje e vetme), ekipet pjesëmarrëse do të mund të përfshijnë në skuadër jo më 18 futbollistë, si në çdo takim tjetër, por 23 lojtarë. Kjo do t’u lejojë ekipeve të kenë në dispozicion 12 lojtarë të gatshëm në pankinë, nga 7 që është klasikja e deritanishme, duke i dhënë kështu klubeve e veçanërisht trajnerëve një elasticitet më të madh për të menaxhuar ekipet në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit.

Ndryshimi i tretë ka të bëjë me orarin e takimeve të Championsit dhe Europa League. Në kompeticionin më prestigjioz për klube, Champions, duke nisur nga faza e kualifikueseve, ndeshjet e fazës së grupeve, 1/8-at e finaleve, çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalja do të nisin që të gjitha në orën 21:00. Ndërkohë, gjatë raundeve të fazës me grupe, dy ndeshje të së martës dhe dy ndeshje të së mërkurës do të nisin më 18:55, me përjashtim të raundit të fundit, kur të gjitha sfidat do të zhvillohen njëkohësisht.

Sa i përket Europa League, duke nisur nga faza e grupeve e deri te ndeshjet e 1/8-ave të finaleve, të gjitha do të luhen në dy fasha orari, më 18:55 dhe 21:00. Sigurisht që këto orare do të përcaktohen në bazë të shortit. Në të njëjtën linjë parimore, edhe java e fundit e grupeve të Europa League do të zhvillohet në të njëjtin orar. Ndërsa duke nisur nga çerekfinalet, gjysmëfinalet e deri te finalja e madhe, ndeshjet do të nisin në orën 21:00.

Në të dyja rastet, nëse do të jetë e nevojshme të bëhet ndonjë përjashtim, vendimi do të merret ekskluzivisht nga administrata e UEFA-s.

Ndryshimi i katërt ka të bëjë me regjistrimin e lojtarëve pas fazës së grupeve në Champions dhe Europa League. Çdo klub do të mund të përfshijë në ekip 3 futbollistë të rinj, pa asnjë kufizim. Ky modifikim rregulloreje vjen në përputhje me situatën normative ekzistuese në disa prej kampionateve kombëtare, që nuk vendosin asnjë kufizim për pranimin në kompeticion të lojtarëve të regjistruar nga një klub i ri, gjatë merkatos dimërore.

Së fundi, siç e kemi parë në Champions këtë sezon, duke nisur nga ai i ardhshmi 2018-2019, skuadrat që kanë fituar Europa League (ose ish-Kupën UEFA) për 3 vite me radhë, ose minimalisht 5 herë në histori, do të mund të mbajnë veshur në mëngët e fanellave të tyre stemën e kompeticionit. Me këtë ndryshim, e vetmja skuadër që duke nisur nga sezoni i ardhshëm do ta mbajë këtë stemë është Sevilla, me spanjollët që e kanë fituar 5 herë kompeticionin: në vitet 2006, 2007, 2014, 2015 dhe 2016.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA