“Cambridge Analytica” besohet se i përdori të dhënat e mbi 50 milionë përdoruesve të “Facebook”-ut për të krijuar njoftime të individualizuara, duke shënjestruar amerikanët me mesazhe të caktuara.
Të dhënat u analizuan pjesërisht me atë që njihet si “modeli psikologjik i personalitetit” në bazë të 5 tipareve, apo ndryshe “OCEAN V”.
Falë asaj çfarë përftohet mund të shënjestrohen për shembull votuesit besimtarë me rreth 30% mesazhe të fokusuara te feja, 20% mesazhe mbi të drejtat e armëve dhe 30% mesazhe me përmbajtje ekonomike; ndërkohë që pjesëtarëve të shoqatës së armëve “NRA” u dërgohen më së shumti në “Facebook” mesazhe që lidhen me të drejtën e armëmbajtjes.
Sa e suksesshme ishte një sipërmarrje e tillë? Rrjetet sociale u shndërruan padyshim në një faktor të rëndësishëm të krijimit të opinionit gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.
Sipas ekspertit të të dhënave pranë “Cambridge Analytica”, David Wilkinson, ishte pikërisht kjo kompani që e këshilloi stafin e Trumpit të shpenzonte më shumë kohë dhe parà për votuesit e zonave rurale, sidomos në Florida, Pensilvani e Michigan.
“Cambridge” pretendon se ka krijuar profile të gjera personaliteti të thuajse çdo amerikani, të cilat i përdor për të ashtuquajturin “shënjestrim psikografik”. Disa, përfshirë këtu dhe vet Clintonin, druhen se bëhet fjalë për një lloj lufte psikologjike ndaj popullit amerikan, por zëra të tjerë i hedhin poshtë si të pabaza të tilla pretendime.
Dosjet e Komisionet federal të Zgjedhjeve në SHBA tregojnë se “Cambridge Analytica” është paguar me 5.9 milionë dollarë nga drejtuesit e fushatës së Trumpit. Kompania e ndihmoi stafin e republikanit të identifikonte votuesit që ende mund të bindeshin, gjë që do të thotë se ishin të pavendosur, por me një lloj prirjeje të lëkundshme për të anuar nga Trumpi.
Top Channel