Barazia gjinore në politikë? Femrat po fitojnë pushtet në Europë

13/03/2018 10:49

Barazia gjinore në politikë është bërë një temë e nxehtë vitet e fundit. Në shumë shtete, gratë janë të papërfaqësuara në qeveri.

Arabia Saudite është shembulli më i njohur, por ka lejuar që politikanet femra të kandidojnë në zgjedhje për të parën herë në vitin 2015, thuajse një shekull pasi gruaja e parë Jeanette Rankin u zgjodh në Kongres në SHBA.

Megjithatë, trendi po ndryshon. Gjithnjë e më shumë gra po zgjidhen si shefe shtetesh në Europë. Gjermania, Lituania, Estonia, Kroacia, Norvegjia dhe Britania e Madhe kanë të gjitha udhëheqëse femra.

Por, a janë ato shembuj unikë në historinë europiane, apo një shenjë se një ndryshim i qëndrueshëm po mbërthen politikën? Kjo varet…

Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin, OECD ka mbledhur të dhëna nga 71 shtete të botës dhe i ka klasifikuar ato në bazë të numrit të grave që punojnë në kabinetet qeveritare, përfshirë zv.kryeministret, shefet e qeverive, e të tjera, por edhe deputetet.

E në këtë klasifikim kryeson Franca. Në vitin 2017, gratë zinin më shumë se gjysmën e posteve ministeriale, pasuar nga Suedia dhe Sllovenia. Sidoqoftë, në Dhomën e Ulët të Parlamentit, Franca e humbet shkëlqimin e saj përkundrejt Islandës. Gratë zënë 30 nga 63 vendet në Parlament, ose 47.6 për qind në ishullin nordik.

Kjo shifër lë pas Suedinë, me 43.6 për qind, dhe Finlandën, me 42 për qind. Në Paris, ndërkohë, vetëm 25.8 për qind e deputetëve janë femra.

Në anën tjetër, në Turqi, 96.2 për qind e politikanëve të rëndësishëm janë meshkuj dhe gratë zënë vetëm 14.9 për qind të vendeve në Parlament. Shifrat janë të pakënaqshme, por sidoqoftë përbëjnë një kthesë domethënëse krahasuar me 10 vite më parë, kur vetëm 9 për qind e deputetëve turq ishin femra.

Sidoqoftë, në renditjen europiane, Hungaria zë vendin e fundit. Gratë nuk kanë asnjë post ministerial dhe vetëm 10.1 për qind e vendeve në Parlament u shkojnë atyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA