Retorikat e luftës tregtare po përshkallëzohen çdo ditë e më shumë, që prej njoftimit të Donald Trumpit se planifikon rritjen e tarifave mbi importet e çelikut dhe aluminit.

Europa vendosi ta zgjerojë listën e produkteve amerikane që do të vërë në shënjestër si kundërpërgjigje ndaj lëvizjes së shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Fillimisht u tha se, në lupën e bllokut do të përfundonin xhinset “Levi”, “Whiskey” amerikan dhe motorët “Harley Davidson”, ndërsa tani, Komisionerja e Tregtisë Cecilia Malmstrom pohon se e njëjta gjë do të ndodhë me gjalpin e kikirikut dhe lëngun e portokallit të importuar nga Amerika.

Por, në këtë mënyrë, a nuk po e tensionon Brukseli më tej situatën?

“Ne nuk duam që gjendja të dalë jashtë kontrollit, – shpjegon Malmstrom, – ama nga ana tjetër nuk kemi ndërmend të heshtim përballë marrjes së mundshme të disa vendimeve, që cënojnë ekonominë e BE-së”.

Paralajmërimet e Trumpit se masat e tij nuk do të ndalen te shtimi i tarifave mbi importet e metaleve, por do të prekin edhe makinat, kanë mbjellë shqetësim në mesin e industrisë gjermane të automjeteve.

Në krah të saj ka dalë Berlini zyrtar, që thotë se nga lufta tregtare do të kishte humbës në të dyja krahët.

Sipas Ferdinand Dudenhöffer, nga Qendra gjermane për Kërkime Automobilistike, lëvizja e Trumpit do t’i dëmtonte vërtet prodhuesit e huaj të automjeteve, por ajo cënon në të njëjtën masë edhe kompanitë amerikane, që i prodhojnë makinat e tyre jashtë vendit, sidomos në Meksikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA