Përmes një komunikate zyrtare në faqen e internetit dhe rrjetet sociale, klubi spanjoll i Levantes ka njoftuar blerjen e shërbimeve të sulmuesit shqiptar, Armando Sadiku, kartonin e të cilit e zotëronte deri më sot ekipi polak i Legia Varshavës.

Sadiku, i lindur në Cërrik të Elbasanit më 27 maj të 1991-shit, ka firmosur një kontratë deri në qershor të vitit 2020.

Në faqen e internetit të Levantes jepet edhe një përshkrim i shkurtër i lojtarit dhe karrierës së tij sportive. Sadiku ka debutuar në vitin 2008 me Turbinën e Cërrikut, ndërsa një sezon më pas kaloi te Gramozi i Ersekës. Më pas, në sezonin 2010-2011 e bleu Elbasani, për të mbyllur pikërisht në këtë klub aventurën shqiptare e për të bërë kapërcimin e madh drejt futbollit europian.

Fillimisht, Sadiku kaloi te Locarno në Zvicër, në kategorinë e dytë, nga ku u spikat si një futbollist golashënues dhe e kërkuan me radhë Lugano e Zyrihu, po në kampionatin helvet, por këtë herë në atë elitar.

Sadiku debutoi edhe në Kombëtaren e Shqipërisë nën drejtimin e teknikut italian Gianni De Biasi, në sfidën kundër Gjeorgjisë. Mori pjesë gjithashtu në Europianin e 2016-s në Francë, ku shënoi golin e vetëm për ngjyrat kuqezi në këtë kompeticion ndaj Rumanisë.

Futbollisti shqiptar, prej mëngjesit të sotëm do të paraqitet në Ciudad Deportiva de Bunol, për të nisur stërvitjen me ekipin “azulgrana”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA