Australian Open, Nadal e Woznacki në raundin e tretë

17/01/2018 11:24

Rafael Nadal kalon edhe raundin e dytë në Australian Open. Numri 1 i renditjes botërore fitoi ndaj argjentinasit Leonardo Mayer 3-0, për të siguruar vendin e tij në raundin e tretë.

Nadal i mbylli dy setet e parë 6-4 dhe 6-3, ndërsa tek i treti hasi pak më shumë vështirësi, duke e fituar me “tiebreak” 7-6. Kundërshtari i radhës i Nadal do të jetë tenisti boshnjak Dzumhur, i cili eliminoi australianin Millman me rezultatin 3-1.

U kualifikua për në raundin e tretë edhe francezi Jo-Wilfried Tsonga, i cili mposhti me shumë vështirësi kanadezin Shapovalov. Në këtë përballje u deshën 5 sete dhe 3 orë e 37 minuta lojë për të mësuar emrin e fituesit që ishte pikërisht ai i Tsongës, i cili e mbylli sfidën 3-2.

Për femra, Caroline Wozniacki nuk e pati të lehtë sfidën e saj me kroaten Jana Fett. Tenistja daneze, ish-numri 1 i botës, e fitoi këtë përballje me rezultatin 2-1, pas 2 orë e 31 minuta lojë. Fett e nisi shkëlqyer ndeshjen duke fituar setin e parë ndaj Wozniackit me rezultatin 6-3. Por, danezja e mori veten dhe arriti të kthejë situatën në favorin e saj, duke fituar dy setet e tjerë 6-2 dhe 7-5.

Në raundin e tretë, Wozniacki do të përballet me holandezen Bertens.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA