Pas zjarreve, përmbytje. Viktima nga balta e gurët në Kaliforni

10/01/2018 09:13

Të paktën 13 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, si pasojë e rrëshqitjeve të dheut në jug të Kalifornisë, ku shirat e dendur kanë shkaktuar edhe përmbytje.

Autoritetet lokale raportojnë se mbi 160 njerëz janë dërguar në spitale, ndërsa rreth 300 të tjerë kanë mbetur të izoluar nga lumenjtë e baltës në kanionin Romero, në lindje të Santa Barbarës.

Me dhjetëra janë kilometrat e rrugëve dhe autostradave që janë mbuluar nga dheu e uji. Zyrtarë të policisë lokale thanë se, zonat e përmbytyra nga uji dhe balta duken si skena nga Lufta e Parë Botërore.

Ironia e dhimbshme e natyrës qëndron në faktin se, rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet kanë prekur zonat që një muaj më parë po digjeshin nga zjarret masive dhe vuanin thatësirën.

Ekipet e emergjencave, që po punojnë pa u ndalur për të shpëtuar njerëzit në nevojë, thanë se një numër personash mungon në apel dhe pritet që bilanci makabër të rritet.

Komuniteti më i prekur është ai i Montecitos, ku policia raporton se futja e lumenjve të baltës shkuli shtëpitë nga themelet. Në operacionet e shpëtimit është angazhuar edhe Garda Kombëtare, që ka dërguar helikopterët e saj në mbështetje të autoriteteve lokale.

Mijëra banorë kanë braktisur shtëpitë e tyre, për herë të dytë brenda dy muajve, por këtë herë për arsyen e kundërt të flakëve.

FOTO GALERI
5/37

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA