Tensionet mes Berlinit e Moskës, reagon Putin: Masat ndëshkuese, gabim i rëndë

02/09/2026 11:52
Getty Images

Qeveria gjermane ka fajësuar Rusinë për atë që e cilëson si një sulm hibrid ndaj aeroportit të Leipzigut, ku në fillim të muajit gusht u zbuluan disa dronë të pajisur me eksploziv.

Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, deklaroi se autoritetet kanë dalë në përfundimin se pas incidentit, qëndron pikërisht Moska, e për këtë arsye, u paralajmëruan masa ndëshkuese. Një gjë të tillë megjithatë, presidenti rus Vladimir Putin e cilëson një gabim të rëndë.

“Sipas mendimit tim, kjo bie qartazi ndesh me interesat e popullit gjerman. Mendoj se reagimi i qeverisë gjermane lidhet me fushatat zgjedhore që po afrohen”, u shpreh Putin.

Dobrindt përmendi hetimet policore, mënyrën e kryerjes së sulmit dhe të dhënat e shërbimeve të inteligjencës të cilat sipas tij dëshmojnë qartë përgjegjësinë e Rusisë. Pas tentativës për sulm me një dron të ngarkuar me eksploziv në aeroportin Leipzig/Halle, nisi ashpërsimi i kursit të Berlinit zyrtar ndaj Moskës: Konsullata e Përgjithshme e Rusisë në Bon pritet të mbyllet, ndërsa kontrollet për hyrjen në Gjermani do të bëhen më të rrepta.

Aeroporti Leipzig/Halle ka një rëndësi të veçantë strategjike, pasi shërben si qendër logjistike për transportin e mallrave dhe operacionet ushtarake, duke u përdorur edhe nga NATO dhe kompania ukrainase Antonov Airlines për transportin e furnizimeve ushtarake.

Edhe kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi se ishte e qartë se Rusia ishte e përfshirë në incident. Sipas saj, Moska po shfaqet gjithnjë e më provokuese, duke shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve në Europë.

Top Channel