Vladimir Putin po ndryshon strategji me Ukrainën: Me afrimin e dimrit, presidenti rus synon të shënjestrojë rrjetin ujësjellës të kryeqytetit Kiev dhe ta lerë atë pa ujë të pijshëm.

“Në planet sekrete të Moskës, kapitullimi i Kievit kalon edhe përmes rubinetave të ujit. Shtatëdhjetë raketa balistike, 720 dronë me rreze të gjatë veprimi dhe 150 bomba të drejtuara: ky është arsenali që, sipas një dokumenti rus të parë nga ukrainasit dhe të siguruar nga The New York Times, do të mjaftonte për t’i privuar Kievin, Harkivin dhe Odesën nga uji, energjia elektrike dhe ngrohja.

Plani, të cilin ukrainasit ua kanë paraqitur partnerëve europianë, parashikon shkatërrimin e 90 për qind të kapacitetit të prodhimit të energjisë elektrike dhe të furnizimit me ngrohje në këto tri qytete.

Ky është vlerësimi i sulmuesve, jo një rezultat i sigurt. Por ai konfirmon strategjinë: të arrihet, përmes vuajtjeve të civilëve, ajo që ushtria nuk arrin të sigurojë në fushën e betejës. Për ta lënë Kievin pa ujë, nuk është e nevojshme të thahet lumi Dnipro.

Mjafton të ndalen pompat që e marrin ujin, e shpërndajnë nëpër banesa dhe largojnë ujërat e zeza. Sistemi i ujësjellësit transporton rreth 700 milionë litra ujë në ditë dhe është ndër konsumatorët më të mëdhenj të energjisë elektrike në kryeqytet.

Çdo central i goditur, çdo nënstacion i dëmtuar mund ta ndërpresë edhe këtë qarkullim jetik, ndërkohë që cdo defekt i ri i shtohet atyre të mëparshme, ndërsa ekipet përpiqen të riparojnë një rrjet që vazhdon të jetë i ekspozuar ndaj bombardimeve.

Top Channel