Tragjike në Lindjen e Mesme/ Masakër gjatë një ceremonie mortore, 10 persona vriten pas një sulmi me armë zjarri në një kishë në Jordani
Pas trazirave të fundjavës së kaluar, lëvizja rinore “17 Tetori” njofton një strategji të re për protestat e së shtunës. Pikat e grumbullimit do të bëhen publike vetëm gjysmë ore para nisjes, ndërsa protestuesit do të lëvizin nga tre vende të ndryshme drejt një sheshi të vetëm.
Protestat e studentëve dhe të lëvizjes “17 Tetori” pritet të nisin të shtunën në orën 15:00, por këtë herë autoritetet italiane mund të përballen me një skenar të ndryshëm nga ai i parashikuar.
Në Milano, sheshi Duomo, ashtu si sheshi Nettuno në Bologna, pritet të mbetet pa protestues në orarin e paralajmëruar, përveç turistëve dhe forcave të policisë të dislokuara në terren.
Një ditë para protestave, të cilat pritet të jenë të tensionuara, lëvizja rinore që javën e kaluar shkaktoi trazira në Milano dhe qytete të tjera italiane ka njoftuar ndryshimin e pikave të grumbullimit. Sipas organizatorëve, sheshet e shpallura fillimisht janë kthyer në vende të parashikueshme, të cilat mund të rrethohen dhe kontrollohen lehtësisht nga policia.
Për këtë arsye, pikat e reja të takimit do të bëhen publike vetëm në orën 14:30 të së shtunës, ndërsa në secilin qytet do të përcaktohen tri vende të ndryshme grumbullimi. Më pas, protestuesit do të drejtohen drejt një sheshi të vetëm.
Në një komunikatë të dytë, lëvizja “17 Tetori” e ka lidhur ndryshimin e strategjisë me miratimin në Këshillin e Ministrave të një dekreti të ri për sigurinë, që parashikon veprën penale të dhunës së organizuar gjatë manifestimeve publike, si dhe me dërgimin e 500 ushtarakëve shtesë në Milano.
“Për ne, kjo ka vetëm një kuptim: një goditje autoritare kundër atyre që kundërshtojnë, me një ashpërsi që nuk është parë që nga koha e fashizmit”, thuhet në deklaratën e publikuar në rrjetet sociale.
Sipas lëvizjes, qeveria po i përgjigjet pakënaqësisë së një brezi me ushtarë, pranga dhe dekrete, në vend që të dëgjojë kërkesat e tij.
“Duhet të heshtim”, është mesazhi që, sipas protestuesve, përcillet nga masat e marra nga autoritetet.
Ata akuzojnë gjithashtu qeverinë se po përpiqet të militarizojë sheshet përpara se ato të mbushen me protestues, përmes blindave, kordonëve policorë dhe zonave të kufizuara.
Lëvizja ka bërë të ditur se sheshet e përcaktuara fillimisht nuk do të jenë më pikat e takimit të protestuesve. Përveç sheshit Duomo në Milano dhe sheshit Nettuno në Bologna, vendtakimet e mëparshme përfshinin sheshin Castello në Torino, Circo Massimo në Romë, sheshin Santa Maria Novella në Firence, sheshin Mazzini në Padova, sheshin Umberto I në Bari dhe sheshin De Ferrari në Genova.
Sipas planit të ri, në orën 14:30 të së shtunës do të njoftohen tri pika grumbullimi për secilin qytet, ndërsa në orën 15:30 do të bëhet e ditur pika përfundimtare ku do të bashkohen protestuesit.
“Pikat fillestare nuk janë më të vlefshme: nuk do të gjeni asnjë prej nesh atje, por do të gjeni shumë prej tyre”, thuhet në komunikatën e lëvizjes, duke iu referuar pranisë së forcave të sigurisë.
Organizatorët u kanë bërë thirrje pjesëmarrësve të organizohen në grupe, qofshin këto kolektive studentore, organizata, grupe spontane apo thjesht grupe miqsh. Ata këshillojnë që protestuesit të takohen paraprakisht, të vendosin së bashku se si do të lëvizin dhe të shmangin pjesëmarrjen individuale.
“Kur lëviz në grup, mbrohesh dhe njihesh me të tjerët”, thuhet në udhëzimet e shpërndara nga lëvizja.
Pasi të jenë organizuar, grupet pritet të drejtohen drejt pikës së grumbullimit më të afërt gjeografikisht. Për të shpjeguar strategjinë e re, lëvizja përdor sloganin “Be water” – “Bëhuni ujë”, një shprehje e lidhur me protestat e Hong Kongut të vitit 2019, që nënkupton lëvizjen fleksibël dhe shmangien e përqendrimit në një vend të vetëm.
Faza e fundit e planit parashikon që, në orën 15:30, të shpallet sheshi përfundimtar në secilin qytet. Atje do të bashkohen grupet që fillimisht janë mbledhur në tri pika të ndryshme, me synimin për të krijuar një manifestim të vetëm.
“Tri lumenj që bashkohen në një”, është mënyra me të cilën lëvizja përshkruan strategjinë e saj.
Ndërkohë, autoritetet italiane po përgatiten për një fundjavë të tensionuar, pas përplasjeve të javës së kaluar. Në Milano pritet një prani e shtuar e forcave të sigurisë, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të zhvillohen protestat dhe nëse ndryshimi i strategjisë do të ndikojë në menaxhimin e tyre nga policia.
Top Channel