Maldivet, “rruga e fshehtë” e Rusisë për të anashkaluar sanksionet perëndimore? Qindra milionë dollarë mallra kalojnë tranzit drejt Moskës
Në raportin e Wall Street Journal, Maldivet janë shndërruar në një pikë të papritur tranziti për qindra milionë dollarë produkte perëndimore të destinuara për Rusinë, duke ngritur dyshime për një rrjet të ri që i mundëson Moskës të anashkalojë sanksionet e vendosura pas pushtimit të Ukrainës.
Sipas dokumenteve të shqyrtuara nga Wall Street Journal dhe bisedave me zyrtarë perëndimorë, përmes aeroportit të kryeqytetit Malé kalojnë komponentë elektronikë, pjesë avionësh dhe produkte të tjera të kufizuara. Mes tyre ka edhe mallra që klasifikohen si produkte me përdorim të dyfishtë, të cilat mund të përdoren si për qëllime civile, ashtu edhe në sektorin ushtarak.
Vëllimi i mallrave që kalon përmes Maldiveve është shumë më i vogël krahasuar me kanalet kryesore të përdorura për shmangien e sanksioneve, si Kina, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Megjithatë, rasti tregon se rrjeti tregtar i Rusisë po zgjerohet edhe në vende që nuk konsiderohen tradicionalisht si qendra të rëndësishme të tregtisë me Moskën.
Si funksionon skema?
Sipas raportimeve, ngarkesat transferohen nga një avion në tjetrin pa hyrë zyrtarisht në territorin e Maldiveve.
Çdo mëngjes, një fluturim i Aeroflot mbërrin në Malé. Me ndihmën e ndërmjetësve vendas dhe kompanive që lidhen me logjistikën ruse, mallrat zhdoganohen mbi bazën e dokumenteve të paraqitura dhe më pas transferohen direkt në një avion tjetër.
Për fluturimin drejt Moskës lëshohet një dokument i ri transporti, ku nuk shënohet më prodhuesi fillestar apo origjina e vërtetë e mallrave.
Disa prej produkteve përfundojnë më pas te kompani ruse të sanksionuara, përfshirë S7 Airlines dhe degët e saj, të cilat përballen me vështirësi në sigurimin e pjesëve rezervë për avionët e flotës së tyre.
Importet ruse nga Maldivet u rritën ndjeshëm
Të dhënat tregtare tregojnë një rritje të fortë të këtij aktiviteti pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Sipas të dhënave të Import Genius, importet ruse të deklaruara si me origjinë nga Maldivet u rritën nga më pak se 7 milionë dollarë në vitin 2021 në mbi 630 milionë dollarë në vitin 2022.
Në vitin 2024, shifra ishte rreth 160 milionë dollarë. Megjithatë, të dhënat mund të mos pasqyrojnë të gjithë volumin real të tregtisë, pasi Rusia ka kufizuar gradualisht aksesin në informacionet doganore.
Çfarë mallrash kalojnë drejt Rusisë?
Mes produkteve të identifikuara janë mikroçipa, të cilët mund të përdoren në sistemet e drejtimit të raketave, instrumente optike për gjurmimin e satelitëve dhe komponentë hapësinorë.
Disa prej këtyre pjesëve mund të përdoren në avionë civilë, por gjithashtu mund të përshtaten për avionë ushtarakë dhe raketa me rreze të gjatë veprimi.
Rritja e aktivitetit tregtar duket se lidhet edhe me interesat ekonomike të Maldiveve. Turistët rusë përbëjnë një pjesë të rëndësishme të vizitorëve në arkipelag, ndërsa aeroporti ndërkombëtar i vendit ka regjistruar fitime të konsiderueshme nga aktivitetet e transportit të mallrave.
Në korrikun e kaluar, aeroporti i Malé trajtoi një rekord prej 126 tonësh ngarkesë në një ditë.
Perëndimi kërkon më shumë kontrolle
Autoritetet perëndimore po i bëjnë presion qeverisë së Maldiveve që të forcojë kontrollet ndaj mallrave që kalojnë tranzit drejt Rusisë.
Problemi kryesor mbetet kontrolli doganor. Sipas raportimeve, mallrat në tranzit kontrollohen kryesisht përmes dokumentacionit dhe nuk i nënshtrohen në mënyrë sistematike inspektimeve fizike.
Wall Street Journal ka identifikuar gjithashtu kompani lokale që dyshohet se përdoren për të menaxhuar transportin e mallrave. Mes tyre janë përmendur Freight Care dhe Go Investment.
Drejtori i Freight Care, Hussain Waheed, ka konfirmuar se kompania merret me mallra që kalojnë tranzit nga Malé drejt Rusisë, por ka mohuar se ka ndihmuar me vetëdije në transportin e materialeve që përdoren për prodhimin e armëve.
Top Channel