Shqipëria në festë/ Nga atmosfera e gëzueshme, te tregjet me pak blerës

24/12/2017 16:41

Në Vlorë, anëdetësja ose Lungomare, është zbukuruar për herë të parë me dritat e festave. Një park lojërash për fëmijët, si dhe një pistë akulli për patinazh, janë vendosur atje.

Por kryetari i bashkisë thotë se ndryshe nga vitet e tjera, Vlora është përpjekur që atmosferën dhe zbukurimet t’i shtrijë edhe brenda në qytet.

“Është për herë të parë dhe sheshi i parë në Lungomare, që është rikonceptuar si një market i festave të fundvitit, ku është vendosur një pemë 22m e lartë, një pistë skish, në Vlorë, pra në një qytet bregdetar dhe mbi të gjitha një market i krishtlindjeve”, u shpreh Leli.

Por pavarësisht përpjekjeve për ta integruar edhe pjesën tjetër të qytetit në festë, larg shkëlqimit të anëdetëses, në tregjet e qytetit ndihet një atmosferë aspak festive.

“Fatkeqësi, pasi nuk ka shitje, shumë keq. Po i ulim çmimet dhe prapë s’ka njerëz. S’kanë para njerëzit”, thotë një tregtare.

Në një tjetër qytet bregdetar, në Durrës tregtarët thonë se çmimet e fruta-perimeve janë më të lira se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritje kanë vetëm frutat e importit, kryesisht shega dhe rrushi.

Edhe konsumatorët pohojnë se çmimet janë më të pranueshme këtë vit. Rritjet lëvizin nga 10-30 lekë/kg, ndërsa më të prekurit në këtë fundviti, mbeten sërish pensionistët.

Megjithatë festat janë një mënyrë për të larguar dëshpërimin. Drita, muzika dhe bashkimi i familjeve, krijojnë një atmosferë të gëzueshme, pavarësisht asaj që mund të shtrohet në tavolinë.

E ku më mirë se në Shkodër, mund të gjesh më shumë optimizëm në prag festash. Ankesat e qytetarëve për rritjen e çmimeve të produkteve nuk e zbehin festën në Shkodër.

Në shëtitoren e qytetit janë vendosur kioska provizore druri, që shërbejnë birrë të ftohtë e verë të ngrohtë dhe natë e ditë në rrugë ka më shumë njerëz se në ditët e tjera të vitit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA