Morientes: Edhe rivaliteti ka anën e tij të respektit

21/12/2017 14:51

Ambasadori i La Ligës në futboll, Fernando Morientes ka nxitur lojtarët e Barcelonës të formojnë një “tunel nderimi” për futbollistët e Realit të Madridit përpara nisjes së “El Clasico”-s së të shtunës, në “Bernabeu”.

Reali mposhti Gremion 1-0 më 16 dhjetor, për të fituar për të dytën herë radhazi Botërorin e Klubeve, ndërsa dy rreshtat e futbollistëve kundërshtarë që mirëpresin në fushën e blertë një kampion të sapokurorëzuar është një porosi në futbollin spanjoll.

Cristiano Ronaldo tha gjatë javës së kaluar në Abu Dhabi se, mendon që do të ishte një “gjest i bukur”, por “pasillo” (korridori) nuk është i detyrueshëm. Edhe drejtori i marrëdhënieve institucionale të Barcelonës, Guillermo Amor tha se, ky nuk do të ishte rasti i duhur, duke qenë se La Liga është një tjetër kompeticion nga Botërori i Klubeve.

Megjithatë, Morientes, i cili ka luajtur 182 ndeshje me Realin mes viteve 1997-2005, tha për “Marca”-n:

“Besoj se ky është një ligj i pashkruar. Askush nuk mund ta detyrojë dikë që të formojë këtë korridor nderi, por është thjesht çështje sjelljeje dhe respekti. Kjo është gjëja më e mirë që mund t’u tregojmë brezave të rinj. Nëse do të ishte Reali që duhej ta bënte diçka të tillë, do të flisja njësoj. E di që ka shumë rivalitet mes dy skuadrave, por ka edhe një marrëdhënie normale njerëzore. Edhe imazhi në dhomat e zhveshjes, kur ata u japin duart njëri-tjetrit është i rëndësishëm, por kjo shpesh nuk shihet nga kamerat. Më pas, kur zbresin në fushë nuk ka më miq, pasi të gjithë duan të fitojnë”.

Reali ndjek me 11 pikë më pak Barcelonën kryesuese në La Liga, por edhe me një ndeshje më shumë për të zhvilluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA