Vdes kardinali i përfshirë në skandalin seksual të Bostonit

20/12/2017 09:25

Kardinali Bernard Law, i cili u detyrua të dorëhiqej si arqipeshkv i Bostonit në vitin 2002 lidhur me skandalin e abuzimeve seksuale, vdiq në moshën 86-vjeçare në Romë.

Kardinali akuzohej se kishte zhvendosur priftërinjtë pedofilë nga famullitë, në vend që të përballej me akuzat. Pas largimit nga Bostoni, atij iu dha një post në Vatikan, ku punoi deri në vitin 2011. Dioqeza e Bostonit u trondit në janar të vitit 2002 pas pretendimeve për abuzime seksuale nga dhjetëra priftërinj përgjatë disa dekadave. Ajo shmangu falimentimin duke pranuar të shesë tokë dhe ndërtesa për më shumë se 100 milionë dollarë, për të financuar strehim për mbi 500 viktima të abuzimeve.

Skandali shtyu Vatikanin të hartojë plane të reja për luftimin e abuzimeve seksuale në Kishen Katolike Romake. Kardinali Law u emërua Arqipeshkv i Bostonit në vitin 1984, por u tërhoq në vitin 2002, pas një seri raportesh nga ekpi investigativ “Spotlight” i gazetës “Boston Globe”.

“Lutem që ky veprim të ndihmojë dioqezën e Bostonit të përjetojë shërimin, pajtimin dhe unitetin që janë kaq të nevojshme”, tha ai në atë kohë. Artikujt e publikuara në “Boston Globe” pohonin se dhjetëra priftërinj që kishin abuzuar seksualisht me fëmijët ishin zhvendosur nga njëra famulli tek tjetra për vite me radhë, pa informuar policinë apo besimtarët.

Raportimet nuk çuan vetëm në dorëheqjen e Law, por edhe në zbulimin e abuzimeve të tjera në 102 qytetet amerikane e 105 dioqeza në mbarë botën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA