Arta Marku, prokurore në Shkodër dhe Ferdinand Elezi, prokuror në Durrës kanë dorëzuar sot në Kuvend kandidaturat për kryeprokuror të përkohshëm.
Ndërkohë, afati i fundit për aplikim është dita e martë 12 dhjetor. Por edhe sot, politika e ka lexuar këtë moment sipas interpretimeve të veta.
Për herë të parë në këtë debat ndërhyri edhe Presidentit i Republikës Ilir Meta, i cili deri më sot nuk kishte bërë asnjë koment për çështjen e kryeprokurorit.
“Si president unë dua të nënvizoj, derisa kemi të bëjmë me një çështje të rëndësishme të një institucioni kyç të drejtësisë, që duhet respektuar Kushtetuta dhe fryma e saj”, deklaroi Meta.
Presidenti i njeh Kuvendit kompetencën ekskluzive në emërimin e kryeprokurorit, por thekson se prokuroria është një institucion kyç i drejtësisë, ndaj bën thirrje për dialog.
“Çdo hap i njëanshëm nuk do t’i ndihmonte konsolidimit të pavarësisë së institucioneve dhe rritjes së besimit të institucionet e reja të drejtësisë”, deklaroi ai.
Kryeprokurori, nuk ka dialog Rama-Basha
Mundësia e vetme për dialog që ofrojnë socialistët është në kuadrin e procedurës së nisur në Kuvend.
Gjatë mbledhjes së grupit parlanentar, kryeministri, Edi Rama, tha se socialistët kanë mundësinë dhe të drejtën ta zgjedhin me votat e tyre kryeprokuprrin e përkohshëm, por janë të hapur të bashkëpunojnë me opozitën për një emër konsensual.
“Për këtë arsye besoj se është një moment që nëse ka vullnet dhe largpamësi, ne mund ta shfrytëzojmë si pikënisjen e një procesi ndërveprimi dhe bashkëpunimi për të garantuar se Shqipëria, do të bëjnë për Shqipërinë gjithçka që kanë në dorë në funksion të çeljes së negociatave për në BE”, tha Rama.
Por, Lulzim Basha këtë të Ramës e sheh si ftesë për shkelje të Kushtetës. Basha tha se kryeprokurori në çdo rast duhet të zgjidhet me 84 vota dhe pasi të ketë kaluar procesin e vetingut.
“Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë bashkëpunim nga Partia Demokratike dhe nga asnjë parti politike me një keqbërës që dëshiron të shkelë Kushtetutën për të emëruar një prokuror që të mbyllë aferat dhe dosjet kriminale. Nëse zgjidhet Prokurori nga mazhoranca, ai (Rama) do të përballet me përgjigjen më të fuqishme politike nga opozita”, deklaroi Basha.
Pavarësisht interpretimeve të ndryshme të Kushtetutës dhe ligjit, procedura është zyrtare dhe prokurorët nisën t’i përgjigjen thirrjes të hënën. I pari që ka aplikur është Ferdinand Elezi. Më pas u konfirmua edhe aplikimi i prokurores së Shkodrës Arta Marku. Afati i fundit për aplikim është ora 18.00 e së martës.
Top Channel